Banorët e pallateve të sapondërtuara Nr. 27 dhe 28 në zonën e rindërtimit te 5-Maji po jetojnë një situatë absurde dhe të rëndë në mes të verës, duke qenë prej më shumë se një jave pa ujë të pijshëm dhe pa ashensorë, në godina që janë dorëzuar vetëm pak ditë më parë nga shteti.
Sipas denoncimit të bërë nga banorët, mungesa e ujit ka ardhur si pasojë e djegies së pompës së furnizimit që ndodhet në dhomën teknike të përmbytur gjatë reshjeve të fundit. Megjithëse defekti është konstatuar dhe raportuar, banorët thonë se deri tani nuk është marrë asnjë masë për riparimin apo zëvendësimin e saj, duke lënë dhjetëra familje, përfshirë të moshuar dhe fëmijë, pa asnjë mundësi për të kryer nevojat bazë jetësore.
Ata thonë se për shkak të kësaj problematike, po detyrohen të marrin kova me ujë nga çezma e lagjes në katet e sipërme. E sikur të mos mjaftonte mungesa e ujit, banorët thonë se në të njëjtën kohë me pompën është prishur edhe ashensori.
"Kemi njoftuar disa inxhinierë, por njëri prej tyre, që kishte ardhur për inspektim, nuk na përgjigjet më as në telefon,” – shprehet një banore.
Banorët theksojnë se janë familje të shpronësuara për interes publik që sakrifikuan pronat për ndërtimin e këtyre pallateve pas tërmetit, me qëllim që të strehoheshin ata që mbetën pa shtëpi. Por tani ndihen të braktisur nga institucionet që duhej t’u garantonin kushte dinjitoze banimi.
“Nuk kemi as administrator. Askush nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë e mirëmbajtjes. Po hyjnë ende familje të reja në apartamente, por asnjë nuk ka ujë,” – thuhet më tej në ankesën e tyre.
Banorët i bëjnë thirrje Bashkisë Tiranë, Entit Kombëtar të Banesave dhe Ministrisë së Rindërtimit të ndërhyjnë menjëherë për të zgjidhur problemin, të caktohet një administrator i përkohshëm dhe të riparohen defektet në ujësjellës dhe ashensor.
Denoncimi i banorëve:
Përshëndetje. Ju shkruaj në emër të banorëve të Pallateve të reja Nr.27 dhe 28 në zonën e rindërtimit te 5-Maji. Kemi 1 Javë pa pikë ujë nëpër apartamente sepse është djegur Pompa e ujit fill pasi u inaugurua pallati! Ne jemi familjet e shpronësuara që para 4 vitesh në atë zonë për t'i hapur rrugë rindërtimit për interes publik dhe për të mundësuar strehimin e të mbeturve pa strehë nga termeti. Shikoni si po e shpërblen qeveria sakrificën tonë! Duke na lënë pa ujë. Sikur të mos mjaftonte kjo është prishur edhe Ashensori!
Po mbushim ujë me orar me kova tek çezma e lagjies poshtë dhe e ngjisim nëpër shkallë deri në kat të pestë. Si mund të jetohet pa pikë uji në mes të verës?! Nuk kemi fare kujt t'i drejtohemi. Nuk ka asnjë përgjegjës për këto pallate.
Nuk ka fare Administrator Kemi njoftuar një si inxhinier por që edhe ai që nga dje s'po na e hap më telefononin fare.
Nuk kemi filluar ende të paguajmë. Nuk është zgjedhur ende Administratori. Apartamentet e këtyre Pallateve të reja u shpërndarë me short në datat 21 dhe 22 korrik 2025. Pra, janë të reja fare dhe disa prej familjeve kanë hyrë direkt në ditët pasi u shpërndarë që të mos i kapte muaji gusht me qera sepse sapo merren apartamentet, ndërpritet bonusi i qerase që jep Bashkia Tiranë për të shpronësuarit. Edhe tani që flasim, po hyjnë familje të reja nëpër apartamentet e tyre por asnjë nuk ka ujë. Pati ujë deri më datë 31 Korrik para se të binte ai shiu i madh. Pastaj ra shum shi dhe u përmbyt dhoma teknike ku ndodhet pompa poshtë në garazh e u dogj
Që prej 30 ose 31 korrikut (nuk më kujtohet data fikse) nuk erdhi më fare ujë. Vetëm një nga inxhinierët e pallatit erdhi për inspektim sepse ishte përmbytur kati nëntokë dhe atë e informuam për problemin e ujit por edhe të ashensorit që po ashtu u prish në të njejtën kohë! Ndoshta edhe ai nga permbytja. Ai reagoi duke thirrur një teknik i cili tha se ishte djegur. Pompa por nuk kanë bërë asgjë dhe ne vazhdojmë të jemi pa ujë. Edhe për ashensorin erdhi një teknik të premten që shkoi por vazhdon të jetë i prishur dhe ne vazhdojmë të ngjisim ujë me kova nëpër shkallë. Prinderit e mi pensionista të moshuar banojnë në katin e pestë.
