Një minator ka humbur jetën ditën e sotme në një nga minierat e Bulqizës.
Viktima, i identifikuar si Fari Veliu, 60 vjeç, punonte si ndihmës në ndërtimin e një armature. Sipas informacioneve paraprake, Veliu po asistonte kolegët gjatë punimeve kur është përfshirë nga një shembje masive e mineralit, e cila rezultoi fatale për të.
Minatori ka ndërruar jetë në vend, pasi nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të rënda të marra.
Në vendngjarje ndodhen autoritetet përkatëse, të cilat kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.
Njoftimi i policisë:
Bulqizë /informacion paraprak. Me datë 06.08.2025, rreth orës 11.40, dyshohet se është aksidentuar gjatë punës në një subjekt minerar në Bulqizë dhe ka humbur jetën, shtetasi F.V., rreth 66 vjeç, me detyrë ndihmës armator. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarjeje.