Një 23-vjeçar është ndëshkuar nga Policia e Lezhës me një gjobë prej 50 mijë lekësh, pasi u kap duke lëvizur me automjetin e tij luksoz, tip “G-Class”, në breg të detit në zonën e plazhit të Vainit.
Rasti u denoncua në JOQ ALBANIA dhe pamjet tregonin mjetin duke lëvizur mbi rërë, në një zonë të frekuentuar nga pushuesit.
Pas publikimit të këtyre pamjeve, policia ka ndërhyrë duke identifikuar shoferin 23-vjeçar dhe shoqëruar atë në Komisiariat ku i është vendosur masa administrative për shkelje të rregullave në zonat publike bregdetare.
Njoftimi i Policisë:
Vain, Ishull Lezhë
Qarkulloi me automjet tip “G-Class”, në breg të detit, dhe cenoi sigurinë e pushuesve, identifikohet dhe shoqërohet në komisariat.
Në përfundim të veprimeve procedurale, 23-vjeçari u ndëshkua për shkeljen e kryer, me 50 000 lekë gjobë.
Shërbimet e Policisë Rrugore të Lezhës, menjëherë pas publikimit të një video-je në portalin “JOQ Albania”, në të cilën shfaqet një automjet tip “G-Class” duke lëvizur në brezin e rërës në breg të detit, në plazhin e Vainit, kryen verifikimet, me qëllim nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të drejtuesit të automjetit.
Në përfundim të tyre, u identifikua dhe u shoqërua në komisariat, shtetasi A. N., 23 vjeç, banues në Lezhë.
Ai u ndëshkua me masë administrative 50 000 lekë, për shkelje të neneve 7 dhe 139 të Kodit Rrugor.
Policia e Lezhës falenderon qytetarët dhe median për kontributin për evidentimin e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe fton që të vijojnë të denoncohen raste të tilla, pasi reagimi do të jetë i menjëhershëm, i paanshëm dhe konform ligjit.