Një projekt gjigant urbanistik në zemër të Sarandës ka ndezur pakënaqësi të shumta. “Saranda Tower” është planifikuar të ndërtohet me 32 kate mbi tokë, nga të cilët 9 janë shtesë, plus 4 kate nëntokë, me objektiv dominimin vizual dhe betonizimin e qytetit bregdetar nga “G&P” sh.p.k e Shefki Karamuça, ish-kryetari i Bashkisë Vorë dhe figurë e vjetër politike e LSI-së.
Lidhur me këtë, jo shqiptarët, por të huajt që kishin menduar të investonin në apartamente turistike përpushime po dalin hapur kundër këtij projekti. Ata kanë nisur fushatë proteste për ndalimin e ndërtimeve mbi 4 kate, duke kërkuar hapësira publike, më shumë gjelbërim, rrugë të gjera dhe parkingje dhe ndoshta pak shpëtim nga fenomeni betononizimit të vendeve turistike.
"Nuk e di nëse keni lexuar lajmet, por pritet të ndërtohet një ndërtesë shumë e madhe në qendër të Sarandës. Një ndërtese me 32 kate! Kush do të ishte i interesuar të marrë pjesë në një protestë dhe të mos lejojë më ndërtimin e ndërtesave të mëdha në Sarandë? Të paktën deri në 4 kate! Ne kemi nevojë urgjente për pemë, rrugë të gjera dhe parkingje në vend!," -shprehen të huajt në postim.
Shqiptarët shquhen për mungesën e reagimit qytetar ndaj çështjeve publike, përveçse kur thirrjet vijnë nga partitë politike. Ndonëse ndërtimi i një kulle 32-katëshe në Sarandë duhet të jetë një arsye e mjaftueshme për të nxitur protestë të pavarur dhe ndërgjegje kolektive për mbrojtjen e hapësirës publike dhe mjedisit, shqiptarët kanë zgjedhur të flenë, teksa të huajt paralajmërojnë protestë.
