Aleanca Qytetare për Vlorën ka paralajmëruar një protestë më 6 gusht 2025, për të kërkuar largimin e dy anijeve TEC të sjella nga Bangladeshi dhe të vendosura në Portin e Peshkimit në Zvërnec. Sipas organizatorëve, këto anije janë të ndryshkura, kanë shkaktuar ndotje të rëndë në zonë dhe nuk justifikojnë kostot e larta që po paguhen nga buxheti i shtetit. Qeveria shqiptare, përmes një kontrate të diskutueshme, paguan çdo ditë rreth 94 mijë euro për mirëmbajtjen e tyre, ndërkohë që prodhimi i energjisë është minimal.
Aktivistët dhe banorët lokalë shprehen të shqetësuar për ndikimin mjedisor që këto mjete kanë shkaktuar në bregdetin e Vlorës. Ata theksojnë se këto anije nuk kanë funksionuar asnjëherë në kapacitet të plotë dhe se janë një shembull i shpërdorimit të fondeve publike, pasi deri më sot janë shpenzuar mbi 250 milionë euro për një projekt që nuk ka sjellë përfitime të dukshme për qytetarët.
Protesta ka nisur përpara Prefekturës së Vlorës me një konferencë për shtyp, për të vijuar më pas me një marshim drejt zonës së Triportit, ku ndodhen anijet. Organizatorët u bëjnë thirrje qytetarëve, aktivistëve mjedisorë dhe përfaqësuesve të medias të bashkohen në këtë nismë për të mbrojtur interesin publik dhe pasuritë natyrore të qytetit.Aleanca Qytetarët e Vlorës do të protestojë më 6 gusht për të larguar dy Termocentralet (TEC) lundruese në Vlorë “Tigri 1” dhe “Tigri 2” që prej një viti janë në gjirin e Vlorës ende pa prodhuar energji.