Borxhi global ka arritur një nivel historikisht të lartë, duke kapur shifrën prej 324 trilionë dollarësh, një shumë që përfaqëson më shumë se trefishi i prodhimit të përgjithshëm ekonomik të gjithë botës. Sipas raportit më të fundit nga Instituti Ndërkombëtar i Financave (IIF), kjo është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë në historinë e borxhit ndërkombëtar.
Por kjo na shtyn të pyesim: ndaj kujt është në borxh bota? Kush e mban këtë barrë kolosale financiare?
Pjesa më e madhe e borxhit global i përket shteteve të zhvilluara, me Shtetet e Bashkuara, Kina, Japonia, Gjermania dhe Franca në krye të listës. Vetëm SHBA ka një borxh publik që kalon 35 trilionë dollarë, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes institucioneve financiare, korporatave private dhe familjeve. Rreth 40% e borxhit global mbanet nga sektori publik, një nivel që nuk është parë që prej viteve 1960.
Në anën tjetër, edhe vendet në zhvillim po kontribuojnë në rritjen e këtij borxhi. Azia, Amerika Latine dhe disa vende të Afrikës përbëjnë rreth 24% të borxhit publik global, me norma huamarrjeje që janë rritur me ritme shqetësuese sidomos pas pandemisë dhe krizave të njëpasnjëshme ekonomike.
Ndërkohë që borxhi rritet, edhe kostoja për ta shlyer po bëhet gjithnjë e më e rëndë. Në shumë shtete, pagesat për interesat e borxhit janë duke konsumuar një pjesë të madhe të buxhetit. Në vendet e OECD-së, ato arrijnë mesatarisht në 3.3% të PBB-së, ndërsa në SHBA shifra është rritur në 4.7%, një nga më të lartat në dekada. Në vendet më të varfra, realiteti është edhe më dramatik: sipas OKB-së, 57% e popullsisë në disa shtete afrikane dhe aziatike paguajnë më shumë për shërbimin e borxhit sesa për shëndetësi dhe edukim.
Raporti i fundit i Kombeve të Bashkuara paralajmëron se deri në fund të vitit 2025, vendet në zhvillim do të kenë nevojë për rreth 7 trilionë dollarë për të rinovuar borxhet ekzistuese, ndërsa ekonomitë e zhvilluara do të përballen me mbi 19 trilionë dollarë detyrime që duhet t’i rifinancojnë.
Nëse rritja ekonomike ngadalësohet ose normat e interesit rriten më tej, kjo mund të çojë në një krizë të re globale me pasoja të rënda për tregjet dhe jetën e përditshme.
Pra, bota është në borxh, jo ndaj një entiteti të vetëm, por ndaj vetes: shtete që u detyrohen investitorëve, qytetarëve që jetojnë me kredi, korporata që huazojnë për të zgjeruar operacionet, dhe vende të varfra që varet nga ndihmat ndërkombëtare për të mbijetuar.
E gjithë kjo krijon një sistem ku stabiliteti financiar global qëndron në një fije peri, dhe fati i tij varet nga mënyra se si menaxhohet kjo barrë kolosale.