Ministri i Investimeve Publike të Serbisë, Darko Glišić, ka pësuar një goditje të rëndë në tru gjatë një interviste live në televizionin TV Pink, mëngjesin e së martës.
Teksa ishte i ftuar në një emision të drejtpërdrejtë, ministri nisi të shfaqte shenja shqetësuese dhe nuk arriti të përfundonte bisedën. Transmetimi u ndërpre menjëherë, ndërsa ai u transportua me urgjencë drejt Qendrës Klinike në Beograd.
Sipas konfirmimeve nga autoritetet serbe dhe mediave vendase, gjendja shëndetësore e Glišić është kritike. Ai është diagnostikuar me hemorragji cerebrale, është futur menjëherë në ndërhyrje kirurgjikale dhe ndodhet në respirator nën kujdes intensiv.
Ministri i Shëndetësisë, Zlatibor Lončar, tha se ekipi mjekësor po bën të pamundurën për stabilizimin e tij, ndërsa theksoi se orët në vijim janë vendimtare.
Ngjarja ka sjellë reagime të menjëhershme edhe në nivel shtetëror. Presidenti Aleksandar Vuçić, i cili ndodhet aktualisht në spital pranë Glišić, reagoi me një mesazh të fortë për mikun dhe bashkëpunëtorin e tij të ngushtë: "Darko, mos u dorëzo! Nuk ka dorëzim."
Darko Glišić konsiderohet si një nga njerëzit më të besuar të Vuçiçit, me një rol të rëndësishëm si kryetar i Bordit Ekzekutiv të Partisë Progresive Serbe (SNS).
Ai ka një karrierë të gjatë në politikën serbe, përfshirë postin e kryetarit të komunës së Ub-it, si dhe si deputet në parlamentin serb.