Një qytetare nga Shkodra ka denoncuar mbrëmjen e sotme në redaksinë e JOQ Albania një rast vjedhjeje që i ka ndodhur në biznesin e saj.
Sipas saj, ngjarja është regjistruar rreth orës 21:00, në lagjen Rus, pranë postës. Në pamjet e kamerave të sigurisë shihet qartë një i ri që hyn brenda dyqanit, afrohet tek banaku, merr telefonin celular dhe largohet qetësisht sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Denoncuesja thotë se telefoni i vjedhur ishte telefon pune, duke i shkaktuar dëme dhe pengesa të mëdha në aktivitetin e saj.
Sipas informacioneve që ajo ka marrë nga uniformat blu, i njëjti person ka kryer të paktën 6 vjedhje të tjera të ngjashme vetëm gjatë ditës së sotme në qytet.
“Përshëndetje JOQ, rreth orës 21:00 hyri dikush në dyqanin tim dhe mori këtë telefon. Ka ndodhur në Shkodër, ngjitur me postën në Rus. Kush e njeh, të më lajmërojë. Është telefon pune. Policia na tha që ka bërë brenda ditës së sotme 6 vjedhje celularesh, se e paskan denoncuar edhe të tjerë.”
Kërkohet ndihma e qytetarëve për identifikimin e autorit. Nëse dikush e njeh personin që shfaqet në video, ju jeni të lutur të kontaktoni menjëherë redaksinë tonë ose informoni Policinë e Shkodrës.