Vlonjati që të merr gjak në vetull, duke pritur me durim të thahen rrugët

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 05.08.2025, 21:44

Në Vlorë mjaftuan vetëm pak minuta shi që rrugët të zhdukeshin nën ujë dhe qytetarët të ngjiteshin si refugjatë nëpër strehat e dyqaneve. Një skenë e njohur, një film që jepet çdo verë me regji shtetërore dhe aktor populli.

Por këtë herë nuk ishte përmbytja që habiti më shumë. Ishte një fenomen i rrallë që nuk gjen shpjegim: vlonjati që nuk shan, nuk ulërin, nuk i bie me grusht bordurës... Thjesht rri urtë, i lagur dhe i heshtur.

Në një qytet ku për një kafe të vonuar mund të fillojë një revolucion, sot askush nuk tha asnjë fjalë. As "s’bëhet kjo punë", as "ku e ka kokën shteti". Vetëm pritje. Si pula nën shi. Si njerëz që kanë kuptuar se s’ka kush i dëgjon më.

Vlonjati që për një fyerje personale ta merr gjak në vetull, përballë shtetit që e mbyt çdo herë që bie shi, bën sikur s’ka ndodhur gjë. Shikon ujin që ngjitet tek pantallonat, shikon kalldrëmin që zhduket, shikon qiellin... dhe thotë me vete: “Po shyqyr që s’ra më shumë.”

Sepse kjo nuk është më vetëm përmbytje rrugësh, është përmbytje shprese. Është ai momenti kur nuk shpreson më që dikush do bëjë diçka, por vetëm të mos bëhet më keq.

Dhe kur as vlonjati s’shfryhet më, atëherë kuptojmë se nuk jemi vetëm të lagur, jemi edhe të dorëzuar./M. Gjini/JOQ

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit