Pas përfitimit të një kulle 52-katëshe, Genc Kuçuku ka përfituar pa garë edhe një tjetër kontratë prej 5 MILIARD lekësh nga drejtori i FSHZH, Dritan Agolli.
Pavarësisht se është nën hetim nga SPAK për korrupsion me tendera publikë, drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, duket se vazhdon me të njëjtin intensitet skemat e tij të dyshuara korruptive.
Së fundmi, ai ka nënshkruar një kontratë me vlerë rreth 5 MILIARD lekë me kompaninë “PROGEEN” sh.p.k në pronësi të inxhinierit Genc Kuçuku, i njëjti person që pak kohë më parë përfitoi edhe lejen për ndërtimin e një kulle 52-katëshe në kryeqytet. Fituese në këtë tender është edhe kompania "NIKA" shpk e Shpresa Nikës.
Procedura e tenderit është shënuar me “flamur të kuq”, duke ngritur alarmin për rrezik të lartë manipulimi. Fitues është shpallur kompania e Kuçukut që nuk kishte ofertën më të ulët.
Në thelb, tenderi bën fjalë për rikonstruksionin e një ferme të vjetër në zonën e Valiasit, brenda territorit të bashkisë Kamëz, e cila do të shndërrohet në një “park multifunksional” me tematikën e “100 fshatrave”.

Por hulumtimi në dokumentacionin zyrtar tregon se objekti ekziston prej kohësh dhe përmban infrastrukturë bujqësore të trashëguar nga ndërmarrjet e vjetra shtetërore.

Termat “fermë didaktike” dhe “100 fshatrat” përdoren në mënyrë dekorative, por për kritikët janë shndërruar tashmë në simbol të abuzimeve dhe keqpërdorimit të fondeve publike nga Agolli dhe bashkëpunëtorët e tij.
Në tenderin e zhvilluar më 16 qershor 2025 morën pjesë 15 kompani. Megjithatë, komisioni i ngritur nga FSHZH eliminoi të gjitha ofertat që ishin më të favorshme financiarisht, përmes justifikimeve të dyshimta dhe kritereve subjektive si mungesa e “përvojës së ngjashme”.
Oferta fituese e kompanisë “PROGEEN” ishte 439,998,445 lekë pa TVSH, ndërkohë që operatorë të tjerë kishin ofruar çmime dukshëm më të ulëta:
Por kursimi për buxhetin e shtetit nuk u mor aspak parasysh nga komisioni i Agollit, i cili i hapi rrugë kontratës së dyshimtë me Kuçukun dhe Shpresa Nikën.
Rasti i fundit, i firmosur nga Dritan Agolli, është një tjetër shembull se si fondet publike mund të shpërndahen përmes procedurave që bien ndesh me frymën e konkurrencës së ndershme dhe interesit të qytetarëve. SPAK vijon hetimet, por ndërkohë miliona lekë vijojnë të shpërndahen pa transparencë.