Përgjimet: Bankers pagoi media me “reklama” për të fshehur protestën e punëtorëve

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 05.08.2025, 19:43

Skandali i kompanisë “Bankers Petroleum” thellohet më tej, pas publikimit të dosjes së prokurorisë, e cila tregon një skemë të mirëorganizuar për të blerë heshtjen e disa prej televizioneve më të mëdha në vend. Sipas të dhënave të siguruara nga mediat, kompania ka përdorur kontrata reklamuese me vlera të fryra për të penguar publikimin e protestës së punëtorëve më 1 maj 2025.

Hetimet e prokurorisë tregojnë se Bankers, një kompani që operon pa konkurrencë në tregun shqiptar të hidrokarbureve, ka shpenzuar miliona lekë për reklama në media kombëtare, jo për të promovuar shërbimet e saj, por për të siguruar mospublikimin e informacioneve të padëshiruara. Në qendër të kësaj përpjekjeje ishte shmangia e raportimit të protestës së sindikatës së punëtorëve, të cilët denoncuan kushtet e vështira të punës dhe pagesat e vonuara.

Përgjimet telefonike të zhvilluara me leje të gjykatës zbulojnë se zyrtarë të lartë të Bankers kanë ndërhyrë drejtpërdrejt për të siguruar që protesta të mos mbulohej nga media të caktuara si Top Channel dhe TV Klan. Në bisedat e përgjuara midis zyrtarit të Bankers, Hongping Xiao, dhe bashkëpunëtorëve të tij, dëgjohet qartazi shqetësimi për pjesëmarrjen e këtyre televizioneve dhe përpjekja për t’i mbajtur ato larg.

Sipas dosjes, më 14 maj 2025, nga një kontroll i kryer në platformat online si Google, YouTube dhe në faqet e mediave shqiptare, rezulton se Top Channel, TV Klan dhe media të tjera të mëdha kishin qëndruar në heshtje.

Më tej, hetimi zbulon se gjatë periudhës 2020–2025, disa prej këtyre televizioneve kishin marrë pagesa të mëdha nga Bankers në formë kontratash reklamash, që varionin nga 26 deri në 55 milionë lekë. Këto shpenzime konsiderohen të pajustifikuara për një kompani pa rivalë në treg, dhe sipas prokurorisë, kanë pasur qëllim ndikimin mbi linjën editoriale të mediave dhe fshehjen e problematikave të brendshme të kompanisë.

Në një tjetër bisedë të përgjuar më 24 prill 2025, Hongping Xiao diskuton me një bashkëpunëtore për zgjatjen e kontratës me Top Channel, duke u ankuar për vështirësinë në negociata dhe për faktin që televizioni synon të publikojë një program investigativ për detyrime tatimore të papaguara të Bankers. Ai pohon se, ndonëse pagesat janë bërë, televizioni nuk ka dhënë asnjë shërbim mediatik gjatë muajve të fundit, duke "e mbuluar me heshtje" aktivitetin e kompanisë.

Ky rast hedh dritë mbi një praktikë shqetësuese në tregun mediatik shqiptar, ku interesat e korporatave arrijnë të diktojnë agjendën e informimit publik përmes pagesave të reklamuara si promovim, por që në thelb synojnë manipulimin e realitetit dhe fshehjen e së vërtetës.

Pjesë nga dosja:

Me vendimet përkatëse për lejim përgjimi të këtij trupi gjykues në cilësinë e gjyqtarit të hetimeve paraprake, është lejuar përgjimi i bisedave dhe komunikimeve telefonike të numrit celular 0694014216 në përdorim të personit nën hetim Hongping Xiao, i cili gjatë kësaj periudhe, rezulton të ketë qenë mjaft aktiv në drejtim të përmbushjes së angazhimeve që ka marrë përsipër si dhe evidentohet përpjekja e tij për të mos publikuar protestën e punëtorëve të tij, më datë 01.05.2025.

Nga përmbajtja e bashkëbisedimit të tij më datë 29.04.2025 me shtetasen Laura Dashi (poseduese e numrit celular 0692030715) reflektohet ky shqetësim dhe, bën çdo përpjekje për të penguar publikimin e lajmit. Nga këqyrja rezulton se, më datë 01.05.2025 punëtorët e shoqërisë “Bankers Petroleum Albania Ltd” kanë protestuar për kushtet e vështira të punës së tyre, protestë e cila është adresuar kundër drejtuesve të shoqërisë. Nga ana tjetër, administratori i shoqërisë personi nën hetim Hongping Xiao ka bërë përpjekje që kjo protestë të mos pasqyrohet nga mediat kryesore në vendin tone, e biseda e zhvilluar më datë 29.04.2025, tregon pikërisht këtë qëllim dhe, është sa vijon:

Personi – A- Është shtetasi Hongping Xiao

Personi -B- Është bashkëbiseduesi i tij shtetasja L. Dashi

Personi B: Po, përshëndetje

Personi A: Përshëndetje

Personi B: Si jeni?

Personi B: Nuk jam mirë, që nga…po, një pyetje e shpejtë në lidhje me këto media për 1 majin, ke siguruar që Top Channel nuk do të vije?

Personi B: Jo, nuk do të vijë, sepse…qartë që nuk do të vije.

Personi A: Po, mund të më sigurosh këtë?

Personi B: Po. po. Për Top Channel, mund të të siguroj.

Personi A: Dhe kështu, ka tre media që janë përmendur në fillim, apo jo?

Personi B: Në cilin fillim?

Personi A: Sindikata na dha informacion që tre prej tyre do te vijnë. Top Channel nuk do të vijë, dhe dy të tjerat, mund të kujtosh?

Personi B: Nuk e di

Personi A: Pra, mund të sigurosh që Top Channel nuk do të vije, apo jo?

Personi B: Absolutisht, sepse kemi kontratë, është 100% e sigurt. Do të kontaktoj edhe të tjerët. por nuk dua t’i kontaktoj ata të parët. Kjo është ideja. Deri tani nuk kam asnjë informacion. kështu që në momentin që ata na kontaktojne, do t’jua them menjëherë.

Personi A: Ok

Personi B: Absolutisht! Po nga ana juaj, keni ndonjë informacion?

Personi A: Jo, mendoj që në fillim janë përmendur tre, do të gjej mesazhin që besoj se e kam ndarë me ty.

Personi B: Po, sipas mesazheve ata thonin News 24, që është Fokus. Po, është Syri, që është televizioni opozitar, dhe Klan, nëse nuk gaboj, por për Klan ende kemi kontratën, por kemi këtë situatë…

Personi A: Nëse mund të sigurosh që Top Channel dhe Klan nuk do të përfshihen, eshtë e gjitha.

Personi B: Po, e di. Por me Klan kemi një situatë delikate, kështu që do të kontaktoj absolutisht. Do të flas me ta, do t’u them se do të rregullojmë gjërat, por nuk e di. Ndoshta ata mund të informojnë edhe të tjerët, por do t’jua bëj me dije nëse kam ndonjë informacion. Ok, a ka diçka tjetër?

Personi A: Jo, jo, për momentin jo.

Personi B: Ok, ok. Faleminderil.

Personi A: Ok

Nga këqyrja e kryer më datë 14.05.2025 në platformat kryesore të internetit, përfshirë Google, YouTube dhe faqet zyrtare të mediave shqiptare, rezulton se protesta e punonjësve të shoqërisë “Bankers Petroleum Albania Llt”, më datë 1 Maj 2025 ka qenë një ngjarje reale dhe e raportuar kryesisht në disa media online dhe kanale televizive si “Syri.net”, “News 24”, “RTSH” dhe “Almakos.com”, etj. Ndërsa mediat si “Top Channel”, “TV Klan” etj, nuk kanë raportuar këtë protestë të sindikatës së punonjësve.

Ndërsa nga këqyrja e kryer më datë 21.05.2025, rezulton se media të ndryshme si “Top Channel” apo “Tv Klan”, etj, kanë marrë përgjatë viteve 2020-2025 pagesa që varjojnë nga 26.346.090 e deri në 55,132,715 lekë, për reklama, hapësira publicitare, spote, kronika, etj, në një kohë që kjo kompani operon në treg pa rivalë, etj. Pra, reklamimi i aktivitetit të saj në një treg pa konkurent është vetëm shtim i pajustifikuar i shpenzimeve dhe ulje e fitimeve që deklaron si kompani. Ne këtë mënyrë, dyshohet se mundohet me këto investime të pengojë publikimin e lajmeve negative rreth aktiviteti të saj, të pamundësojë përcjelljen e protestave të punëtorëve të saj, etj.

E njējta situatë nga komunikimet e shtetasit Hongping Xiao për raportet me mediat dhe përpjeket e tij për të fshehur veprimtarinë e paligishmëritë shoqërisë “Bankers Petroleum Albania Ltd” del edhe nga bisedat e zhvilluara prej tij disa ditë më parë se biseda e mësipërme. Konkretisht bisedat e datës 24.04.2025 ora 07:43:21 AM dhe 07:54:21 AM me përdoruesen e numrit celular 06970….

Biseda është sa vijon:

Personi -A- Eshtë shtetasi Hongping Xiao;

Personi – B- Është bashkëbiseduesi i tij;

Personi A: Mirëmëngjes.

Personi B: Mirëmëngjes.

Personi A: Je në zyrë?

Personi B: Po shkoj atje. Jam te sheshi Skënderbej.

Personi A: Ke më shumë se 10 minuta?

Personi B: Jo, jo 10 minuta. Por po.

Personi A: Si je? Duhet të të pyes fillimisht, si je?

Personi B: Po, kjo është traditë shqiptare në gjithë botën.

Personi A: Ok harrova çfarë doja të thoja. Ka dy gjëra për të cilat kam nevojë për ndihmën tënde, me prioritet. E para është kontrata me Top Channel. Ta kam përcjellë. Ata nuk pranojnë të ndryshojnë periudhën e kontratës. Janë shumë të fortë. Jemi përplasur me njëri-tjetrin për tre muaj, dhe në fund nuk kisha asnje rrugë tjetër veçse të ulem, dhe duket sikur në këtë moment do të dëmtojmë menjëherë Bankers-in. Nuk jam i sigurt nëse ke ndonjë ide, si mund të provojmë të zgjasim pak periudhën e kontratës, sepse kemi shpenzuar para. Tani jemi në fund të prillit, dhe kemi shpenzuar para për tetë muaj. E kupton çfarë dua të them?

Personi B: Po. Ç’të them? Nuk kam ndonjë ide. Nëse ata mund ta zgjatin periudhën, të zgjasim kontratën deri më 31 mars.

Personi A: Ata nuk pranojnë. Me kanë kthyer përgjigje me email dhe do ta të përcjell tani Gjithsesi, për Top Channel, nuk mendoj se mund të negociojmë më, sepse kemi tre muaj që negociojme dhe ata duan ta publikojnë. Duan të bëjnë një program televiziv për Bankers në fundjave.

Personi B: Ok, por a do të mbulojnë ata këto tre muaj që nuk kanë dhënë asnjë shërbim? Dua të them…

Personi A: Në fakt, vitet e fundit, nuk e di çfarë ndodhi me Top Channel, por shumicën e rasteve e mbulojnë, e mbulojnë me heshtje, e mbulojnë me maska. E kupton çfarë dua të them?

Personi B: Por ata kanë bërë ndonjë raport, ndonjë lajm?

Personi A: Jo,jo. Për tre muajt e fundit, jo. Nuk kam përdorur asnjë TV. jo.

Personi B: Pra, ajo që përkufizon kontrata me Top Channel eshtë që ata duhet të japin shërbim gjatë gjithë periudhës sepse ne i paguajmë me një shumë të përgjithshme.

Personi A: Po, e di. Nuk jam i sigurt nëse ke ndonjë dokument mbështetës nga e kaluara, por unë muk kam asgjë. Mendoj se Laura ka, sepse…

Personi A: Mund të flasësh me të në mëngjes kur të shihemi. Sepse ata duan që kontrata të mbyllet perpara dates 30. Besoj se kanë përgatitur një program dhe po presin vetëm përgjigjen time. Me kanë dërguar një email që më kërcënon. “Jemi duke përgatitur një program për taksën ushtrimit, 120 milionë që Bankers është ngarkuar, dhe pse nuk është ekzekutuar?” Kjo është shumë e ashper.

Personi B: Kjo është mënyra si punojnë ata. Jo vetëm ata.

Personi A: E di, e di si punojnë, por desha të nxjerr ndonjë përfitim më shumë për kompaninë. por deshtova në momentin e fundit. Gjithsesi, kam arritur diçka ndërkohë – në fillim donin 400 euro, dhe në fund ra në 185.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit