Projekti strategjik i Marinës së jahteve në Durrës, i reklamuar si një investim prej 2 miliardë eurosh, ka mbledhur deri tani rreth 42 milionë euro nga shitja e apartamenteve ende pa ndërtuar. Në dy vitet e para të aktivitetit, kompania “Durrës Marina sha” ka siguruar kapitalin për ndërtimin e tre godinave të para, jo nga investime direkte, por përmes parapagimeve të klientëve që kanë blerë njësi banimi “në ajër”.
Sipas bilancit të vitit 2024, kompania ka arkëtuar rreth 4.17 miliardë lekë, ose afro 42 milionë euro, të cilat janë regjistruar si detyrime nga kontratat me klientët. Këto përfaqësojnë parapagime për njësi që nuk janë ndërtuar ende dhe që do të dorëzohen për herë të parë në vitin 2025. Shoqëria nuk ka deklaruar të ardhura, pasi sipas saj, të ardhurat njihen vetëm në momentin e dorëzimit të njësive dhe kalimit të pronësisë.
Ndërkohë, kompania ka mbyllur vitin 2024 me një humbje prej 522 milionë lekësh, pas një humbjeje prej 612 milionë lekësh në 2023. Gjithsesi, të ardhurat e mbledhura nga parapagimet duket se kanë qenë të mjaftueshme për të mbuluar kostot e ndërtimit për vitin 2024, që kapin vlerën e rreth 35 milionë eurove. Këto shpenzime lidhen me ndërtimin e godinave A01, A02 dhe A04, të cilat janë aktualisht në proces.

Shitja e apartamenteve nisi në fund të vitit 2022, pa pasur ende leje ndërtimi. Kontratat e shitjes parashikojnë që 40 për qind e vlerës të paguhet përpara dhënies së lejes, me 20 për qind të shumës që paguhet menjëherë pas firmosjes së marrëveshjes paraprake dhe pjesa tjetër në dy këste të ndara pas miratimit të lejes së ndërtimit.
Durrës Marina sha u krijua në janar 2023 dhe zotërohet në masën 67 për qind nga kompania Eagle Hills Real Estate Development, e cila përfaqëson interesat e biznesmenit nga Emiratet e Bashkuara, Mohamed Alabbar. 33 për qind e aksioneve janë në pronësi të Albanian Seaports Development Company, pala shqiptare që ka kontribuar në projekt me tokën publike. Në shkurt 2023, qeveria shqiptare i kaloi kësaj kompanie një listë me 281 prona shtetërore me një sipërfaqe totale prej 818 mijë metra katrorë, që do të përdoret për ndërtimin e kompleksit.
Projekti ka përfituar gjithashtu përjashtim nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe nga kontributi për strehimin social, që vlerësohen në rreth 7 për qind të shumës së shitjeve. Parashikohet që në total të ndërtohen rreth 13 mijë apartamente, nga të cilat 4 mijë në fazën e parë dhe 8,600 në fazën e dytë. Pjesa më e madhe e kompleksit do të jetë rezidencial, ndërsa hapësirat për hotele dhe ambiente tregtare do të zënë vetëm një pjesë të vogël të projektit. Vetëm 280 vende janë planifikuar për jahte.
Në raportin e aktivitetit për vitin 2024, kompania pranon se po përballet me ndotje serioze në zonën ku zhvillohet projekti. Toka rezulton të jetë shumë e kontaminuar për shkak të aktivitetit të mëparshëm të portit dhe depozitimit të qymyrit. Cilësia e ujit është e ulët për shkak të shkarkimeve të ujërave të zeza, ndërsa edhe zona e plazhit kërkon bonifikim dhe mbrojtje. Kompania deklaron se ndjek standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit dhe është e angazhuar në përmirësimin e kushteve në zonë.
Megjithëse prezantohet si një investim strategjik i rëndësishëm për vendin, deri tani realiteti tregon se një pjesë shumë e vogël e projektit është financuar nga kapitalet e vetë investitorit. Pjesa dërrmuese e financimit po vjen nga qytetarët dhe klientët që parapaguajnë për banesa që ende nuk janë ndërtuar, ndërkohë që shteti ka ofruar tokën, përjashtimet fiskale dhe mbështetjen logjistike për zhvillimin e projektit.