Frrok Lleshaj viktima e 5 e gjakmarrjes që nisi 33 vite më parë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 05.08.2025, 14:29

Fshati Paçram i Vaut të Dejës është tronditur mbrëmjen e kaluar nga një tjetër vrasje që e çon në pesë numrin e viktimave të një zinxhiri të gjatë gjakmarrjeje mes tre familjeve.

Frrok Lleshaj, 65 vjeç, u gjet i pajetë mbrëmjen e së hënës, i ekzekutuar me armë zjarri në rrugën që e përshkonte çdo ditë për t’u kthyer me bagëtitë në shtëpi.

Sipas të dhënave paraprake, Lleshaj është qëlluar me pistoletë me silenciator, rreth orës 20:00, ndërsa trupi i tij u zbulua një orë më vonë nga një banor i zonës. Fqinjët nuk raportuan dëgjim të të shtënave, çka përforcon dyshimet për përdorimin e një arme me silenciator.

Pista kryesore ku janë fokusuar hetimet është ajo e gjakmarrjes, që prej fillimit të viteve ’90 i ka marrë jetën pesë personave të përfshirë nga tre familje të ndryshme.

Gjithçka nisi në vitin 1991, kur djali i Frrok Lleshajt u vra në Greqi në rrethana të pasqaruara. Familja Lleshaj dyshonte se pas ngjarjes fshiheshin kushërinjtë e tyre, gjë që çoi në vrasjen e Dodë Lleshajt, ngjarje për të cilën Frroku u akuzua, por nuk e pranoi asnjëherë autorësinë.

Pas vrasjes së djalit, Frrok Lleshajt i vranë edhe vëllanë dhe me kalimin e viteve një tjetër konflikt lindi me një familje nga Puka. Frrok Lleshaj qëlloi për vdekje një person tjetër, ngjarje të cilën e pranoi në gjykatë dhe për të cilën u dënua me 25 vite burg.

Nga këto dy hasmëri të vjetra, dyshohet se është vrarë mbrëmjen e kaluar edhe vetë 65-vjeçari Frrok Llleshaj, i cili e çon në 5 numrin e viktimave për shkak të gjakmarrjes.

Frrok Lleshaj kishte përfunduar dënimin në vitin 2023 dhe prej asaj kohe jetonte në fshat, duke u marrë me blegtori.

Policia e Shkodrës ka shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, ndërsa nuk ka ende persona të ndaluar. Grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorisë, po shqyrton të gjitha pistat, me në fokus konfliktet e vjetra për hasmëri.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit