Një qytetare ka denoncuar përmes një videoje drejtuar redaksisë së JOQ ndotjen alarmante në pyllin e Sodës dhe përgjatë vijës bregdetare në Vlorë.
Sipas saj, e gjithë zona mjedisore dhe në një nga hapësirat natyrore më të bukura të qytetit, është mbuluar nga mbeturinat që i sheh nga do që hedh sytë.
Duke përmendur faktin se Bashkia Vlorë ka vendosur pak kosha plehrash në këtë zonë, ajo kritikon edhe qytetarët që hedhin mbeturinat vend e pa vend, edhe pse aty pushojnë me fëmijët dhe familjarët e tyre.
“Prindër, çfarë edukate u trashëgoni fëmijëve kur ju shohin duke ndotur natyrën? Qytetarë, ndërgjegjësohuni!”
Ndotja e mjedisit në pyllin e Sodës është një problem i përsëritur, i cili vijon prej vitesh për shkak të mungesës së menaxhimit të mbetjeve urbane, mosvendosjes së koshave, por mbi të gjitha nga papërgjegjshmëria individuale.
Denoncimi vjen në kulmin e sezonit turistik, kur zona frekuentohet masivisht nga pushues të huaj dhe vendas, duke e bërë këtë ndotje jo vetëm një problem mjedisor, por edhe një turp kombëtar që dëmton imazhin e Shqipërisë.
Denoncimi i qytetares:
Përshëndetje JOQ. Pamjet në vijim janë filmuar në pyllin e Sodës dhe vijën bregdetare përgjatë tij. Një krim i pa precedentë që i është kryer mjedisit nga dora e njeriut; ndotje masive thuajse në çdo metër të sipërfaqes. Unë e kuptoj se bashkia nuk ka vendosur kosha të shumtë, por askujt nga ne nuk i rëndon të mbajë në makinë një qese me mbeturinat që ka bërë vetë, të cilën mund ta hedhë në koshin më të afërt që shikon apo qoftë edhe në shtëpinë e tij. Më vjen shumë keq sidomos për familjarët që lënë mbeturinat në vendin që kanë bërë plazh apo piknik. Prindër, çfarë edukate u trashëgoni fëmijëve teksa ju shohin duke ndotur mjedisin?! Qytetarë ndërgjegjësohuni!