E qëlluan me silenciator, detaje nga vrasja e ish-policit në Vaun e Dejës

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 05.08.2025, 12:17

Hakmarrja mbetet pista kryesore e hetimeve për vrasjen e Frrok Lleshajt, 65 vjeç, i cili u gjet i ekzekutuar mbrëmjen e së hënës në fshatin Paçram të Vaut të Dejës, vetëm pak metra larg banesës së tij.

Sipas burimeve zyrtare nga Policia, Lleshaj u qëllua me armë zjarri, dyshohet me pistoletë me silenciator, në një rrugë dytësore të fshatit, një zonë pa ndriçim dhe pa kamera sigurie, çka ka vështirësuar hetimet për identifikimin e autorëve.

Trupi i pajetë është gjetur rreth orës 21:00 nga një banor i zonës, i cili më pas njoftoi familjarët dhe Policinë e Shtetit. Nga hetimet paraprake dyshohet se vrasja ka ndodhur rreth orës 20:00.

Frrok Lleshaj është një emër i njohur për autoritetet. Në fillim të viteve ’90, ai ishte efektiv policie, por u arrestua për vrasjen e kushëririt dhe fqinjit të tij, Dodë Lleshaj. Për këtë krim u dënua me 25 vite burg, por në vitin 1997 u arratis nga burgu. U arrestua sërish në vitin 2006 dhe qëndroi në qeli për 21 vite, derisa doli në liri në vitin 2023. Pavarësisht vendimit gjyqësor, Lleshaj nuk e ka pranuar autorësinë e vrasjes për të cilën u dënua.

Pas lirimit, ai jetonte në fshatin Paçram dhe merrej me blegtori, duke qëndruar kryesisht i tërhequr nga jeta publike. Por ngjarja e rëndë ka rikthyer në vëmendje gjakmarrjen si një plagë ende e gjallë në zona të caktuara të vendit. Policia ka shoqëruar disa prej të afërmve të viktimës për t’i marrë në pyetje dhe po heton edhe pista të tjera përveç asaj të hakmarrjes. Megjithatë, të gjitha të dhënat paraprake duket se e përforcojnë këtë si motivin kryesor të vrasjes.

Grupi hetimor ndodhet në terren dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit