Pas publikimit të videos nga JOQ, kapet i çmenduri me armë që terrorizoi qytetarët

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 05.08.2025, 11:40

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme pranë Spitalit Hygeia, në rrugën dytësore drejt QTU-së, ku një i ri ka krijuar kaos të plotë në trafik duke lëvizur në kundravajtje, dhe më pas ka zbritur nga makina me armë në brez, duke kërcënuar qytetarët me britma: “Jam i çmendur, hape rrugën!”. Pamjet e publikuara nga qytetarët tregojnë momentet kur ky person, me një sjellje që më shumë i ngjan një skene filmi aksion, terrorizon të pranishmit në rrugë.

I riu që udhëtonte me mjetin me targa AB 519 NP, zbriti nga makina dhe nxori armën, duke përhapur panik mes qytetarëve, ndërkohë që në vendngjarje nuk u pa asnjë reagim i menjëhershëm nga forcat e rendit. Ishin qytetarët ata që dokumentuan gjithçka, dhe vetëm pasi videoja u bë virale në JOQ, sot, Policia e Tiranës ka njoftuar arrestimin e Ledio Matranxhi 27-vjeçarit, si dhe të vëllait të tij Ronaldo Matranxhi, i cili kishte tentuar të fshehë armën pas incidentit. Arma e zjarrit ishte me fishek në fole dhe gati për qitje.

Megjithatë, mbetet shqetësuese fakti se ndërhyrja erdhi vetëm pas presionit publik dhe publikimit të videos. Pyetja që lind është, sa raste të tjera kalojnë pa u dokumentuar dhe pa ndëshkim, vetëm sepse nuk filmohen? Dhe më alarmante akoma, si është e mundur që persona që lëvizin me armë në brez dhe kërcënojnë në mes të ditës të ecin të lirë, derisa të “denoncohen” nga qytetarët?

“Reagimi i menjëhershëm i Policisë vë në pranga një 27-vjeçar, i cili qarkullonte me armë zjarri dhe kanosi një shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta. Në pranga edhe vëllai i tij, i cili fshehu armën e zjarrit menjëherë pas ngjarjes. Sekuestrohen arma e zjarrit, me fishek në fole, gati për qitje, municion luftarak dhe një automjet. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Forcat Operacionale të DVP Tiranë dhe me Komisariatin Nr. 7, pas marrjes së njoftimit se në vendin e quajtur “Kthesa e Kamzës” një shtetas kishte kanosur me armë zjarri një 32-vjeçar, gjatë një konflikti mes tyre, organizuan punën dhe ndërhynë me shpejtësi për kapjen e autorit të dyshuar”, njofton policia e Tiranës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit