Është identifikuar personi i dyshuar për vendosjen e lëndës plasëse në garazhin e Elvis Kosovës, ngjarje e ndodhur më 24 korrik 2025 në rrugën “Peti” në Tiranë. Autori i dyshuar është Klodian Steli, 36 vjeç, nga Fushë-Kruja, i cili rezulton të jetë larguar jashtë Shqipërisë menjëherë pas krimit. Kamera sigurie kanë ndihmuar në ndjekjen e itinerarit të tij, ku shihet se pas shpërthimit ai është fshehur në një zonë pyjore pranë Liqenit të Thatë për rreth 30 minuta, për të shmangur gjurmët.
Automjeti i përdorur në ngjarje është zbuluar përmes analizës së pamjeve filmike dhe rezulton se ishte marrë me qira në Fushë-Krujë. Ky detaj çoi në identifikimin e plotë të autorit. Mjeti është gjetur dhe sekuestruar, ndërsa procedurat ligjore për lokalizimin e tij jashtë vendit janë në vijim.
Shpërthimi ka shkaktuar dëme të mëdha materiale, përfshirë disa automjete të shkatërruara. Pamjet filmike të publikuara ditë më vonë tregojnë kaosin pas shpërthimit, por jo momentin e vendosjes së eksplozivit. Elvis Kosova, i njohur si “Visi i Garave”, ka qenë më parë i arrestuar në vitin 2024 për përfshirje në një rast mashtrimi me një automjet luksoz Audi R8, së bashku me një shtetas turk.