Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka vendosur të pushtojë tërësisht Rripin e Gazës, përfshirë edhe zonat ku mbahen pengjet e sulmit të 7 tetorit. Lajmin e kanë konfirmuar burime qeveritare për median izraelite Ynet, duke theksuar se nëse shefi i shtabit të ushtrisë kundërshton planin, ai mund të japë dorëheqjen. Netanyahu ka paralajmëruar gjithashtu një mbledhje të kabinetit të luftës për të udhëzuar ushtrinë drejt tre objektivave: shkatërrimi i Hamasit, lirimi i pengjeve dhe eliminimi i çdo kërcënimi nga Gaza.
Vendimi vjen pasi Hamasi publikoi video të reja që tregojnë dy pengje izraelitë në gjendje të rënduar shëndetësore, duke bërë thirrje për ndihmë humanitare. Netanyahu pretendon se veprimi ushtarak është i domosdoshëm për të shpëtuar jetën e pengjeve dhe për të garantuar sigurinë e Izraelit. Sipas Ynet, qeveria izraelite ka marrë edhe miratimin e Uashingtonit për të nisur ofensivën, duke theksuar se negociatat me Hamasin janë bllokuar përfundimisht.
Reagimet ndërkombëtare nuk kanë munguar. Deputeti italian Nicola Fratoianni ka dënuar ashpër veprimet e Netanyahu-t, duke e quajtur atë "kriminal" dhe duke akuzuar BE-në dhe qeverinë italiane për heshtje të qëllimshme. Ai paralajmëron se ky mund të jetë akti i fundit i një tragjedie pa fund për civilët në Gaza.