Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetare në lagjen 17 të qytetit të Durrësit, e cila ngre zërin kundër zaptimit të hapësirave publike nga një subjekt privat.
Sipas saj, hapësira e parashikuar në projektin e pallatit si lulishte dhe pronë e përbashkët për banorët, është kthyer në parking privat për një market që po hapet në katin përdhe të pallatit, i quajtur “ProNatyra”.
Fillimisht, në zonë ishte vendosur një tra, i cili u hoq nga bashkia pas një kërkese të banorëve. Por, sipas qytetares, situata është përkeqësuar më tej:
“Zotëria që ka marketin tani parkon makinën për së gjati çdo ditë, në mënyrë që të mos lejojë hyrjen apo daljen e makinave të banorëve. Edhe dy makinat që shihen aty janë të marketit, askush tjetër nuk ka mundësi të hyjë,” – shprehet ajo në një video që ka dërguar në redaksinë tonë, ku tregon qartë bllokimin e hapësirës.
Denoncuesja shton se çdo ditë përplasen me pronarin e biznesit për këtë çështje dhe kërkon ndërhyrje institucionale që situata të zgjidhet njëherë e mirë, pasi hapësira është pjesë e pronës së përbashkët që ata e kanë paguar në momentin e blerjes së banesave.
"Kompleksi Jedas ndodhet në lagjen 17. Po përballemi çdo ditë me tensione për diçka që na takon me të drejtë," – shprehet ajo.
Në një kohë kur abuzimet me hapësirat publike janë kthyer në problem të përditshëm, raste të tilla kërkojnë zgjidhje të shpejtë dhe të drejtë për të garantuar qetësinë dhe të drejtat e banorëve.