Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Paçram të Vaut të Dejës, ku një 65-vjeçar është gjetur i vdekur në rrugë, i qëlluar me armë zjarri.
Sipas informacioneve paraprake nga Policia, viktima është shtetasi F. Ll., 65 vjeç, i cili dyshohet se është ekzekutuar rreth orës 21:00. Trupi i tij u gjet pa shenja jete në rrugë, ndërsa në vendngjarje ndodhen forcat e rendit që kanë rrethuar zonën dhe po kryejnë veprimet hetimore.
Menjëherë pas sinjalizimit, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon me intensitet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, për të dokumentuar ligjërisht vrasjen, si dhe për të identifikuar dhe kapur autorin ose autorët e dyshuar.
Ngjarja ka tronditur banorët e zonës, ndërsa ende nuk dihen motivet e krimit. Hetimet vijojnë.