Aksident tragjik në Itali/ Kamioni përplas makina në autostradë, 3 të vdekur dhe 15 të plagosur

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 04.08.2025, 20:13

Një aksident i rëndë ka tronditur Italinë këtë të hënë (4 gusht), kur një kamion goditi një sërë automjetesh në autostradën A1, midis Arezzos dhe Firences. Ngjarja ndodhi rreth orës 11:00 paradite, në një segment ku trafiku ishte ndalur për shkak të një bllokimi të mëparshëm.

Sipas raportimeve nga Corriere della Sera, kamioni nuk arriti të frenonte në kohë dhe u përplas në mënyrë zinxhir me një kamion tjetër, një makinë, një autobus turistik dhe një ambulancë.

Përplasja e dhunshme rezultoi fatale për tre persona që ndodheshin në ambulancë: një pacient 75-vjeçar dhe dy infermierët që po e shoqëronin. Të tre humbën jetën në vendngjarje.

Në total, 15 persona të tjerë mbetën të plagosur. Njëri prej tyre ndodhet në gjendje kritike në spitalin Careggi në Firence, katër të tjerë kanë lëndime më serioze, ndërsa të plagosurit e tjerë kanë marrë dëmtime të lehta.

Një dëshmitar okular i ngjarjes, avokati Paolo Romaglioli nga Arezzo, tregoi se i shpëtoi për mrekulli aksidentit:
“Kamioni u përplas me një automjet tjetër të madh dhe ambulanca u shtyp. Pastaj u përfshi nga flakët, por disa shoferë arritën ta shuanin zjarrin para se të përhapej,” tha ai për mediat italiane.

Autostrada A1 u mbyll për disa orë në të dyja drejtimet, duke shkaktuar kaos të madh në qarkullim dhe një ndërhyrje të menjëhershme të shërbimeve të emergjencës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit