Vetëm pak minuta reshje shiu dhe një stuhi e fortë breshëri kanë mjaftuar për të përmbytur Tiranën dhe shkaktuar shumë dëme në kulturat bujqësore dhe pemët frutore.
Zonat brenda qytetit janë përballur me reshje intensive të cilat edhe pse zgjatën pak minuta, mjaftuan për të shkaktuar kaos nga pusetat e bllokuara dhe ujërat e zeza në sipërfaqe.
Ndërkohë në periferi, në zonat si Priska e Madhe, qytetarët kanë raportuar dëme serioze nga breshëri me madhësi të pazakontë, të cilin e përshkruajnë si “më të madhin që kanë parë ndonjëherë”.
“Kjo madhësi breshëri nuk është parë ndonjëherë në Priskë të Madhe. Na ka shkatërruar çdo gjë", thotë një banor i zonës.
Pamjet e mbërritura në redaksinë tonë tregojnë qartë madhësinë e breshërit të rënë, por edhe dëmeve në prodhimet e banorëve, domate, speca, kastraveca dhe rrush.
Qytetarët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet përkatëse, për pastrimin e kanalizimeve dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës para se sezoni i reshjeve të vjeshtës të sjellë përmbytje edhe më të rënda.
