Një 55-vjeçar shqiptar humbi tragjikisht jetën mëngjesin e së hënës në Dafnes, Heraklion, gjatë një aksidenti në vendin e punës. Viktima po kryente kontrolle në një rezervuar të ujërave të zeza, i menaxhuar nga një kontraktor privat, pasi niveli i ujërave kishte tejkaluar limitin e lejuar. Gjatë punës, kolegu i tij vuri re zhdukjen e tij dhe njoftoi menjëherë autoritetet, të cilët gjetën dhe nxorrën të pajetë 55-vjeçarin nga rezervuari.
Sipas raportimeve paraprake, nëse rënia e punëtorit do të ishte vënë re më herët, ai mund të ishte shpëtuar. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit janë në vazhdim, ndërsa ekspertiza mjeko-ligjore pritet të japë informacionin përfundimtar mbi shkakun e vdekjes. Ngjarja tronditi komunitetin dhe ngre pyetje për sigurinë në vendet e punës.