Nuk e tret as uji! Çfarë ‘kosi silikon’ po u shet “Zepa Natyral” shqiptarëve

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 04.08.2025, 14:09

Një qytetare ka ngritur një shqetësim serioz mbi cilësinë e kosit të markës “Zepa Natyral”, një produkt që tregtohet në rrjetet kryesore të marketeve në vend si i shëndetshëm dhe natyral.

Sipas denoncueses, produkti ka një teksturë që nuk përngjan aspak me kosin tradicional dhe i ngjan më shumë një lënde ngjitëse sesa një produkti për konsum. Edhe në pamjet e mbërritura në redaksinë tonë mund të shihet se kosi ngjan si silikon ngjitës dhe derdhet me vështirësi në pjatë. Madje edhe kur i hedh ujë, "kosi" nuk tretet por mbetet sërish në pjatë si një masë uniforme.

Qytetarja thotë se ky lloj kosi shitet shtrenjtë në markete pasi konsiderohet cilësor, por nëse autoritetet do kryenin punën e tyre dhe të bënin analiza laboratorike do e kuptonin më së miri përmbajtjen e këtij produkti.

Ky nuk është rasti i parë kur qytetarët denoncojnë probleme me cilësinë e produkteve të qumështit në treg. Rritja e çmimeve, në shumë raste, nuk ka ecur paralel me rritjen e cilësisë, duke shtuar pasiguritë mbi përmbajtjen dhe sigurinë e produkteve të përditshme ushqimore.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit duhet të dalë në terren dhe të merret me raste të tilla, pasi rreziku nuk vjen vetëm nga shitësit ambulantë të trotuareve, por edhe kompanive që shesin produkte me çmime stratosferike, por të pajustifikueshme për cilësinë e ofruar.

Ndërkohë kompania "Zepa Natyral" në një deklaratë zyrtare për JOQ ALBANIA ka hedhur poshtë denoncimin e qytetares duke thënë se produktet e tyre prodhohen me përkushtim, në mënyrë të ndershme dhe sipas standardeve më të larta të cilësisë dhe sigurisë ushqimore.

Më tej në deklaratë thuhet se çdo produkt që del nga ferma dhe linja e tyre e prodhimit i nënshtrohet kontrollit të vazhdueshëm dhe të rreptë mbi cilësinë e tij, dhe çdo akuzë për cilësi të ulët nuk pasqyron aspak realitetin.

Denoncimi i qytetares:

"Pershendetje! Jam nje ndjekse e rregullt faqes tuaj dhe ju vlersoj per problematikat qe ngrini e fenomene qe denonconi. Do ju lutesha te publikoni nje video te kosit Zepa Natyral i cili vetem kos nuk duket te jete, duket si nje lende ngjitese. Nese do kisha mundesi do e dergoja edhe per analiza pasi po blejme kos te shtrenjte si produkt te mire dhe del me i keq se produktet e lira ne treg".

Deklaratë zyrtare nga Zepa Natyral

Të nderuar klientë dhe ndjekës,

Së fundmi në rrjetet sociale është shpërndarë një video që paraqet produktin tonë në një mënyrë keqinformuese dhe të pavërtetë.

Ne tek “Zepa Natyral” prodhojmë qumësht dhe produkte të tjera bulmeti me përkushtim, në mënyrë të ndershme dhe sipas standardeve më të larta të cilësisë dhe sigurisë ushqimore.

Çdo produkt që del nga ferma dhe linja jonë e prodhimit i nënshtrohet kontrollit të vazhdueshëm dhe të rreptë mbi cilësinë e tij, dhe çdo akuzë për cilësi të ulët nuk pasqyron aspak realitetin tonë.

Ne jemi të hapur për çdo ballafaqim me çdo konsumator të Zepa Natyral të cilët duan realisht informacion profesional.

Ndërkohë, u bëjmë thirrje të gjithë të tjerëve që kanë qëllim dezinformimin dhe prishjen e imazhit të produktit Zepa Natyral se do të përballen me proceset ligjore në Republikën e Shqipërisë.

Gjithashtu, ftojmë qytetaren që ka bërë publikimin të na verë në dispozicion të dhënat e atij produkti (datën dhe nr e lotit), të cilat janë të stampuara në ambalazhin e tij, dhe ne menjëherë do ti vemë në dispozicion të gjitha dokumentet e cilësisë të miratuara nga instancat përkatëse.

Besimi i konsumatorëve të Zepa Natyral i fituar ndër vite, për ne është vlera jonë më e madhe dhe asnjë përpjekje për të na dëmtuar nuk do ta lëkundë përkushtimin tonë për transparencë dhe cilësi.

Ju falënderojmë për mbështetjen! Zepa Natyral.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit