Ndërsa qeveria ka nisur një fushatë të gjerë për lirimin e hapësirave publike dhe prishjen e ndërtimeve pa leje, banorë nga Radhima denoncojnë praninë e disa kiosave që vazhdojnë të qëndrojnë të paprekura. Sipas tyre, këto struktura shesin peshk jashtë çdo standardi higjieno-sanitar, ndotin detin dhe rrezikojnë shëndetin e pushuesve. Situata bëhet edhe më alarmante nga një pikë karburanti detar e ndërtuar pa kushte teknike, e cila ndot vazhdimisht ambientin përreth dhe detin.
Banorët shprehen të indinjuar se këto objekte mbeten të paprekura për shkak të lidhjeve të forta me pushtetin lokal dhe qendror. Sipas denoncimit, prapa pikës së karburantit fshihet emri i ish-ministrit Bledi Çuçi, ndërsa si pronar rezulton një person i quajtur Baçi Baçi. Kjo situatë ngre pikëpyetje të forta për selektivitetin e zbatimit të ligjit dhe përse aksioni nuk prek ata që kanë mbështetje politike, duke lënë të kuptohet se ligji nuk është i njëjtë për të gjithë.
Denoncimi i qytetarit:
Përshëndetje JOQ! Dua të përgëzoj aksionin e qeverisë për lirimin e hapësirave publike, një hap që duhej bërë prej kohësh. Por ndërkohë që disa prishen me të drejtë, në Radhimë vazhdojnë të qëndrojnë disa kioska që shesin peshk jashtë çdo standardi, duke ndotur detin dhe rrezikuar shëndetin e njerëzve. Po ashtu, ndodhet edhe një pikë karburanti me mol barkash, e ndërtuar pa standarde, që ndot ambientin dhe detin. Askush nuk guxon të flasë për të sepse thuhet se pas saj fshihet ish-ministri Bledi Çuçi, ndërsa si pronar figuron një person i quajtur Baçi Baçi. Si ka mundësi që këta vazhdojnë të funksionojnë si të paprekshëm? Pse ligji vlen vetëm për disa?
