Qytetarja denoncon zhurmën dhe kërcënimet nga pronari i restorantit poshtë banesës

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 04.08.2025, 11:36

Një qytetare që zotëron apartament pranë kompleksit Kamelia 3 dhe mbrapa restorantit “Vera” në Shkëmbin e Kavajës ka denoncuar një situatë shqetësuese që po përjeton prej hapjes së një restoranti në katin përdhe të pallatit. Sipas saj, motori i aspiratorit të kuzhinës është montuar pikërisht poshtë dritares së apartamentit, duke shkaktuar erë të rëndë dhe zhurmë të vazhdueshme që e bën të pamundur jetesën. Ajo thotë se pas kërkesave të vazhdueshme për largimin e motorrit, pronari jo vetëm që nuk ka reaguar, por ka kaluar edhe në kërcënime për jetën.

Qytetarja tregon se ka kontaktuar Policinë Bashkiake, ku pas shumë insistimesh erdhi një inspektor, por nuk u mor asnjë masë dhe iu komunikua se nuk është në kompetencë të tyre. Edhe Policia e Plazhit ka refuzuar të marrë një denoncim, duke e orientuar te IMT. Ajo apelon për ndërhyrje të menjëhershme nga Bashkia, e cila sipas saj është përgjegjëse për mbrojtjen e territorit dhe jetës së banorëve. Shton gjithashtu se nga ana tjetër, frigoriferët e Kamelia 3 janë vendosur në trotuar dhe ndodhen shumë pranë dritares së apartamentit, duke e përkeqësuar më tej situatën.

Denoncimi i qytetares:

Përshëndetje JOQ. Kam një apartament te Shkëmbi i Kavajës. Në krah të Kamelia 3 dhe mbrapa Vera Restorant. Këtë vit, në katin përdhe të pallatit është bërë një restorant. Zotëria ka montuar motorin e aspiratorit të kuzhinës ekzaktësisht poshtë dritares time. Përpos erës së kuzhinës, që e bën të pamundur hapjen e dritareve, zhurma e motorit është shumë e fortë gjatë gjithë kohës. Kam komunikuar me të dhe më tha që do ta heqë, por sigurisht s’ka bërë gjë. Po, meqenëse unë vazhdoj t’i kërkoj ta heqë, zotëria kalon edhe në kërcënime për jetën. Kam kontaktuar me Policinë Bashkiake dhe, pas insistimit, erdhi një inspektor. Jo vetëm që nuk dha asnjë zgjidhje, por më përcolli duke thënë që nuk është kompetencë e Policisë Bashkiake. Shkova dhe në Policinë e Plazhit dhe nuk pranuan të marrin një denoncim. Më thanë të shkoj te IMT. Meqenëse Bashkia është përgjegjëse për ruajtjen e territorit të vet, ju kërkoj me përulje të zgjidhet ky problem që ma ka bërë të pabanueshëm apartamentin. Në krahun tjetër, Kamelia 3 ka nxjerrë në trotuar gjithë motorët e frigoriferëve që, në vijë ajrore, janë 5 m nga vitrina ime. Mbetem në pritje të zgjidhjes, me shpresë që nuk do më duhet të ndjek instancat më të larta ligjzbatuese. Më poshtë po ju nis foto të situatës dhe numrin e policit të Policisë Bashkiake që u mor me rastin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit