Berberi që qethi Flodian Plakun “i bëri gropën”, u arrestua duke ngrënë drekë me 25 mijë € në xhep

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 04.08.2025, 11:42

Flodian Plaku, i dyshuar si një nga autorët e vrasjes së Gentjan Bejtjas, mik i të zhdukurit Ervis Martinaj, është arrestuar ditën e djeshme në Orikum, Vlorë.

Operacioni për arrestimin e tij u zhvillua në ambientet e hotel "Doko" në Orikum, ku Plaku qëndronte i fshehur së bashku me mikun e tij Julian Aliaj. Për muaj me radhë, njësitë e posaçme kishin survejuar zonën e Orikumit, pa mundur të identifikonin lëvizjet e Plakut. Megjithatë, një detaj vendimtar ndryshoi rrjedhën e hetimeve.

Të dhënat e siguruara nga përgjimet e miqve dhe familjarëve tregonin se Plaku nuk kishte lëvizur larg zonës. Më 3 gusht, një berber i ardhur nga Vlora u pa duke hyrë në hotel "Doko", me porosi për të qethur një klient të veçantë. Agjentët e Policisë e ndoqën lëvizjen e berberit dhe më pas konfirmuan prezencën e Plakut në dhomën e hotelit.

Pas konfirmimit, një njësi e forcave speciale RENEA ndërhyri në mënyrë të menjëhershme, duke arrestuar Flodian Plakun pa rezistencë. Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit Flodian Plaku, si dhe në ambientet ku qëndronte, u gjetën dhe u sekuestruan: Një armë zjarri pistoletë, me një krehër dhe 17 fishekë; 25 000 euro cash, për të cilat po hetohet burimi i dyshuar kriminal dhe 7 celularë.

Në pranga përfundoi edhe Julian Aliaj, i cili akuzohet për “Mbajtje pa leje të armëve” dhe “Përkrahje të autorit të krimit”.

Flodian Plaku është transferuar në Tiranë, ku pritet të dalë për masë sigurie në Gjykatën e Shkallës së Parë. Ai akuzohet për vrasje me paramendim në bashkëpunim dhe për pjesëmarrje në grup kriminal.

Plaku, i njohur në qarqet kriminale si "Pole Qorri", ishte më parë arrestuar në Itali për trafik droge, bashkë me Julian Aliajn. Ata ishin pjesë e një organizate që transportonte kanabis nga Shqipëria në Brindizi, me shpërndarje në qytete si Roma, Napoli, Milano dhe Firence.

Hetimet për vrasjen e Gentjan Bejtjas vijojnë, ndërkohë që më parë janë dënuar me burgim edhe Edison Haxhiaj për “sigurimin e kushteve për vrasje”, dhe pritet vendimi për Ilirjan Brahimin, kunat i Roan Brahimit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit