Ministri izraelit zemëron botën myslimane, lutet në xhaminë Al-Aksa për fitoren e Izraelit në luftë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 03.08.2025, 17:53

Ministri i Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben Gvir, ka shkaktuar zemërim të madh në botën myslimane d, pasi u lut publikisht në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Jerusalem, vendi më i diskutueshëm fetar në rajon, duke shkelur një marrëveshje të hershme që ndalon hebrenjtë të kryejnë rite fetare atje.

Ben Gvir, një figurë e njohur e së djathtës ekstreme dhe i dënuar më herët për nxitje të urrejtjes ndaj arabëve dhe mbështetje të terrorizmit, e shfrytëzoi ditën e zisë hebraike, Tisha B’Av, për të kryer lutje në këtë vend të shenjtë për myslimanët dhe hebrenjtë. Ai u lut për “fitoren e plotë të Izraelit në luftë” dhe kërkoi publikisht që Izraeli të “pushtojë Gazën dhe të nxisë palestinezët të largohen.”

Kompleksi i Xhamisë Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë për myslimanët dhe më i shenjti për hebrenjtë. Sipas marrëveshjes së njohur si “status quo” që daton që nga viti 1967, vetëm myslimanët lejohen të luten aty, ndërsa hebrenjtë mund ta vizitojnë, por jo të luten.

Ky është rasti i parë që Ben Gvir udhëheq një grup në lutje në këtë kompleks, duke kaluar kështu një vijë të kuqe që mund të ndezë tensione të reja në rajon.

Veprimi u dënua menjëherë nga Ministria Palestineze e Çështjeve Fetare, e cila e quajti Ben Gvir një “ekstremist” dhe tha se veprimi i tij “shkel ndjenjat e myslimanëve anembanë botës”.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se vendet e shenjta islame po përballen çdo ditë me “shkelje nga grupe kolonësh të mbështetur nga qeveria izraelite e djathtë ekstreme, e cila ka një plan të qartë për të marrë nën kontroll vendet e shenjta islame dhe të krishtera.”

Edhe Jordania dhe Arabia Saudite e dënuan ashpër ngjarjen. Ministria e Jashtme e Jordanisë e cilësoi si “shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar dhe provokim të papranueshëm”.

Ndërkohë, Hamasi e cilësoi veprimin si një “krim të rëndë dhe në përshkallëzim kundër xhamisë.”

Përballë reagimeve, Zyra e Kryeministrit të Izraelit u shpreh se “politika e ruajtjes së status quo-së në Tempullin e Shenjtë nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë,” duke nënvizuar se politika vendoset nga qeveria, jo individët.

Gjithashtu, më herët këtë javë, Holanda e shpalli Ben Gvir si persona non grata për nxitje të dhunës ndaj palestinezëve dhe për thirrjet për “spastrim etnik në Gaza.” Ai është gjithashtu nën sanksione nga Australia, Kanadaja, Zelanda e Re, Norvegjia dhe Mbretëria e Bashkuar, bashkë me ministrin izraelit të Financave, Bezalel Smotrich.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit