Klaudio Riko me kompleks vilash pa leje në Dhërmi, arrestohet inxhinieri

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 03.08.2025, 14:19

Kompania ndërtimore “Halisof” sh.p.k, në pronësi të Klaudio Riko, e njohur për projektin turistik “Olea” në Dhërmi, është përfshirë në një skandal ndërtimor. Këtë herë, emri i saj del në sipërfaqe për projektin “The Veil”.

“Halisof” kishte nisur punimet për resortin “The Veil” pa një leje ndërtimi të lëshuar nga Bashkia e Himarës. Pavarësisht mungesës së dokumentacionit, kantieri ishte funksional, me kapanone të ngritura dhe lëvizje intensive makinerish. Një tjetër rast i përsëritur i ndërtimit pa leje në një nga zonat më të lakmuara turistike të vendit.

Ashtu si në precedentë të ngjashëm, përfshirë rastin “Soleil & Sea”, institucionet godasin aty ku është më e lehtë: te hallka më e dobët. Në këtë rast, prangat ranë mbi inxhinierin zbatues të punimeve, Ilir Zh., ndërkohë që drejtuesit e vërtetë të punimeve, përfshirë vetë administratorin Riko, nuk u prekën nga drejtësia.

Rrëfimi i inxhinierit: “Unë zbatova urdhrat e punëdhënësit”

Ilir Zh., tashmë nën masën “arrest në shtëpi”, shpjegoi para hetuesve se ai thjesht zbatonte urdhrat dhe projektet e miratuara nga kompania. Ai pohon se kishte marrë udhëzime direkte nga Klaudio Riko për të nisur përgatitjen e terrenit që, sipas tij, kishte shërbyer më parë si landfill ndërtimor i shfrytëzuar nga kompania “Gjikuria”.

Inxhinieri pretendon se punimet ishin në përputhje me lejen e zhvillimit dhe se ndërtimet e konstatuara ishin fazë parapërgatitore për projektin e parashikuar. Ai thotë se “kapanonet janë të çmontueshëm dhe provizorë, të ndërtuar për të akomoduar punëtorët dhe për të zhvilluar funksione teknike gjatë ndërtimit”.

Më tej, ai thekson se është bërë njoftim zyrtar ndaj Bashkisë së Himarës për nisjen e këtyre punimeve, i firmosur nga vetë administratori Riko.

Ndërsa “Halisof” pretendon se po vepron në bazë të një leje zhvillimi në pritje të ndërtimores, gjykata mendon ndryshe. Gjykata ka vendosur se: “Punimet nuk mund të nisin pa leje ndërtimi”.

Në vendimin e gjyqtarit Bevil Beqiraj të Gjykatës së Vlorës thuhet qartë se punimet, ndonëse të fazës së parë të parashikuara në një leje zhvillimi, nuk mund të nisin pa u pajisur më parë me një leje ndërtimi të plotfuqishme.

“…Nga çmuarja në tërësi e provave rezulton se, ekziston dyshimi se nga personi nën hetim, në cilësinë e inxhinierit të zbatimit/teknik ndërtimi, ka lejuar kryerjen e punimeve për të cilat kërkohet pajisja me leje ndërtimi, pa patur ende Dokumentin e Lejes së Ndërtimit.”

Pse heshtin autoritetet për urdhëruesit?

Pyetja që ngrihet pas këtij rasti është e thjeshtë: Pse ndëshkohet vetëm një inxhinier i thjeshtë, ndërsa pronari dhe administratori i kompanisë, Klaudio Riko, mbetet jashtë çdo përgjegjësie ligjore?

Nëse dokumentacioni që Ilir Zh. ka ofruar është i saktë, atëherë përgjegjësia e vërtetë për këtë ndërtim pa leje qëndron më lart në hierarkinë e kompanisë, tek ata që marrin vendimet, firmosin kontratat dhe nisin punimet pa garanci ligjore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit