Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur dy ditë më parë në plazhin e Tales, në Lezhë, ku një vrojtues plazhi është përballur me mosbindjen kokëfortë të pushuesve. Teksa deti u trazua ndjeshëm nga era e fortë, vrojtuesi mori bilbilin dhe i paralajmëroi vazhdimisht pushuesit të largoheshin nga uji për shkak të rrezikut që u kanosej.
Megjithatë, thirrjet e tij nuk u morën parasysh, dhe pushuesit vazhduan të laheshin mes dallgëve të rrezikshme.
Një qytetar që ndodhej në vendngjarje ka mbetur i habitur për qëndrimin e papërgjegjshëm të pushuesve. “Jemi një popull që nuk bindemi! Vrojtuesi mund t’i ketë paralajmëruar 20 herë, por askush nuk doli nga uji. Në Tale, Lezhë, ai me tuta jeshile vetëm i binte bilbilit, por s’u bind asnjëri,” shkruan denoncuesi.
Në raste tragjedish, shpesh përgjegjësia i është atribuar mungesës së vrojtuesve në plazhe, por në këtë situatë, faji bie drejtpërdrejt mbi pushuesit që injoruan paralajmërimet. Ky episod duhet të shërbejë si një apel për ndërgjegjësim, që secili të respektojë udhëzimet e atyre që janë aty për të ruajtur jetën.