Rruga dytësore Tiranë-Vorë është kthyer në një problem serioz për drejtuesit e mjeteve pasi përveç gjendjes së amortizuar e me gropa, duhet të durojnë edhe “të fortët” që futen kundravajtje duke bllokuar edhe më tepër trafikun.
Kjo situatë është e përditshme në këtë aks rrugor, por një aksident që mund të kishte pasoja tragjike ka ndodhur për shkak të këtyre manovrave.
Në pamjet e mbërritura në redaksinë tonë mund të shihni se si një mjet tip “BMW” bën një parakalim të gabuar duke u futur kundravajtje dhe në këtë moment përplas një qytetar me biçikletë.
Edhe pse qytetari rrëzohet në tokë nga përplasja, shoferi i “BMW” nuk zbret për asnjë moment nga makina dhe vazhdon rrugën në drejtimin e tij.
Drejtuesit e mjeteve shprehen se kjo situatë është e përditshme dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente për të shmangur pasoja më të rënda.