Një qytetar ka denoncuar për JOQ një situatë shqetësuese pranë hotelit KRAAL në Vlorë, ku makinat e klientëve parkojnë rregullisht mbi trotuar, duke bllokuar hapësirën për kalimtarët. Sipas tij, janë gjithmonë automjete luksoze që pushtojnë trotuarin, ndërsa askush nuk merr masa dhe asnjë punonjës i hotelit nuk ndërhyn. Qytetarët, përfshirë fëmijë dhe të moshuar, detyrohen të ecin në rrugën e makinave, çka përbën një rrezik të përhershëm për sigurinë e tyre.

Qytetari denoncon:
Përshëndetje JOQ. Nuk ju kam shkruar ndonjëherë, por po e bëj kësaj radhe se po më soset durimi. Mua dhe shumë të tjerëve. Tek hoteli KRAAL në Vlorë, ngelen duke parkuar makinat sipër trotuarit, dhe janë gjithmonë makinat e shtrenjta që vijnë klientë tek ky hotel. Dhe i lejojnë, nuk u thonë asgjë! Jemi me fëmijë të vegjël dhe të moshuar dhe duhet të kalojmë në rrugën e makinave për të ecur, derisa më doli një makinë përballë një ditë, mirë që nuk ndodhi ndonjë e pabërë. As që duan t’ia dinë fare!

Denoncuesi tregon se një ditë një makinë i ka dalë përballë teksa ecte në rrugë, fatmirësisht pa pasoja. Ai thotë se situata është bërë e padurueshme dhe kërkon ndërhyrje urgjente nga autoritetet përkatëse. Qytetarët apelojnë që trotuaret të lirohen dhe të respektohen si hapësira publike, pasi kjo sjellje jo vetëm është e paligjshme, por vendos në rrezik jetën e kalimtarëve.