Vizitorët që udhëtojnë drejt Lumit të Shalës dhe Liqenit të Komanit për të përjetuar bukuritë natyrore të zonës po përballen me një realitet të hidhur. Shishe plastike, mbeturina të hedhura pa kriter dhe zhurmë nga motorët e ujit janë bërë tashmë pamje e zakonshme. Në shumë raste, sjellja e papërgjegjshme e turistëve, shpesh të dehur, jo vetëm që ndot mjedisin, por edhe rrezikon sigurinë e të tjerëve. Pamjet nga vendi tregojnë një liqen të shndërruar në kosh mbeturinash, ku natyra e qetë po zëvendësohet me rrëmujë dhe ndotje.
"Përshëndetje! Dje isha tek Lumi i Shalës, për të dëshiruar. Liqeni i Komanit ishte plot me shishe, motorra uji që bënin show, me 100% të dehur nga veprimet që bënin. Familjarët të kenë kujdes, vend i bukur por po e prishin njerëzit. Lumi nuk dukej fare nga çadrat dhe baret që ishin bërë. Veç doja ta ndaja me ju", shkruan qytetari për JOQ Albania.
Përgjegjësia për këtë gjendje nuk bie vetëm mbi vizitorët. Autoritetet vendore dhe instancat përkatëse nuk kanë marrë masat e nevojshme për pastrimin dhe menaxhimin e zonës. Çadrat, baret dhe ndërtimet pa planifikim urbanistik kanë mbuluar pamjen natyrore të lumit, ndërsa mungesa e kontrollit dhe e ndëshkimeve ka krijuar terrenin ideal për kaos. Banorët dhe vizitorët e ndërgjegjshëm apelojnë për ndërhyrje urgjente, përndryshe ky vend i mrekullueshëm rrezikon të humbasë identitetin dhe vlerën e tij si perlë turistike e Shqipërisë.