Një ngjarje që të lë pa fjalë ka ndodhur në aeroportin e Barcelonës, ku një çift prindërish ka lënë pas djalin e tyre 10-vjeçar vetëm në terminal, pasi nuk u lejua të hipte në avion për shkak të një pasaporte të skaduar.
Sipas mediave ndërkombëtare, fëmija nuk kishte vizë të vlefshme për të hyrë në vendin e destinacionit, pasi pasaporta e tij spanjolle kishte përfunduar afatin. Në vend që të anulonin udhëtimin, prindërit zgjodhën të hipnin në avion me fëmijën tjetër më të vogël dhe lanë të birin në aeroport, duke thirrur një të afërm që të shkonte ta merrte.
Rasti u bë publik përmes një videoje në TikTok, e shpërndarë nga një punonjëse e trafikut ajror në aeroportin Josep Tarradellas Barcelona-El Prat. Sipas saj, kur personeli zbuloi se djali ishte vetëm, njoftoi menjëherë autoritetet.
Piloti i avionit, pasi u informua për situatën, pyeti në kabinë nëse ndokush kishte lënë një fëmijë pas — fillimisht pa përgjigje, por më vonë çifti u identifikua. Për pasojë, avioni që ishte ngritur në fluturim u detyrua të kthehej në Barcelonë.
Policia i shoqëroi prindërit për të marrë djalin dhe për të dhënë sqarime. Deri më tani, autoritetet spanjolle nuk kanë bërë të ditur nëse çifti do të përballet me ndonjë hetim penal apo ndëshkim ligjor për braktisje të fëmijës.