Një qytetar nga zona e Porto Romanos në Durrës i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar ndotjen alarmante që, sipas tij, po vjen nga Porti i ri i Durrësit.
Ai shprehet se qymyri që shkarkohet në port po ndot në mënyrë të pakontrolluar të gjithë zonën përreth, duke e bërë jetesën thuajse të pamundur. Pamjet që ka dërguar janë shqetësuese: duart dhe këmbët bëhen të zeza vetëm duke prekur cimenton pranë banesës, e cila është mbuluar nga pluhuri i qymyrit që përhapet në ajër dhe depërton deri në shtëpi.
Por më e rëndë është drama njerëzore që po përjeton familja e tij. Ai tregon se motra e vogël, vetëm 5-vjeç, është dërguar tre herë në urgjencë për shkak të bllokimit të mushkërive, të shkaktuara nga ndotja e ajrit.
Në mesazhin e tij dërguar redaksisë, qytetari shkruan:
“Jam një emigrant dhe banues në Porto Romano, Durrës. Po mbytemi nga tymi dhe pluhuri i portit ku shkarkohet qymyr. Motra e vogël 5 vjeçare është çuar tre herë në urgjencë për bllokim të mushkërive. Nuk dimë çfarë të bëjmë, nuk dimë ku të denoncojmë sepse ata janë ‘të fortë me miq në shtet’. Vendosëm të ju drejtohemi juve, ndoshta gjeni një zgjidhje… ose do të detyrohemi të largohemi përgjithmonë nga ky vend.”
Ky është një alarm i rëndë për institucionet dhe autoritetet përkatëse. JOQ Albania i bën thirrje menjëherë Ministrisë së Mjedisit, Policisë së Shtetit dhe të gjitha strukturave përgjegjëse të ndërhyjnë për të ndalur këtë katastrofë mjedisore dhe për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve!