BE ngre alarmin për Kodin Penal: Rrezikon lirinë e fjalës dhe të medias në Shqipëri

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 02.08.2025, 17:24

Brukseli ka shprehur shqetësim serioz për disa prej ndryshimeve të propozuara në Kodin e ri Penal në Shqipëri, duke paralajmëruar se ato mund të cënojnë drejtpërdrejt lirinë e shprehjes dhe të medias.

Në një reagim të dytë brenda të njëjtës ditë, delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka theksuar se është “veçanërisht i shqetësuar për ndryshimet ligjore të propozuara nga grupi i punës”, të cilat mund të kenë ndikim negativ mbi të drejtat e qytetarëve.

Një nga nenet më problematikë, që ka nxitur reagimin, lidhet me dënimin penal për komentet në rrjete sociale para shpalljes së vendimeve gjyqësore, si dhe me penalizimin për publikimin e informacioneve që konsiderohen si “sekrete”.

Sipas Brukselit, këto dispozita nuk janë në përputhje me standardet europiane për lirinë e shprehjes.

“Jemi në dijeni për shqetësimet serioze të shprehura nga përfaqësues të sistemit të drejtësisë dhe nga shoqëria civile”, thuhet në reagim.
“Këto shqetësime duhet të adresohen në përputhje me angazhimet për anëtarësim”, vijon më tej deklarata.

BE gjithashtu sqaron se nuk ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve që hartuan ndryshimet dhe se aktualisht po shqyrton propozimet në fjalë. Brukseli është i gatshëm të ofrojë ndihmë teknike, por thekson se ky proces ka ndikim të thellë në sistemin demokratik të vendit.

Prioritet: dekriminalizimi i shpifjes, jo ndëshkimi i fjalës

Në qëndrimin zyrtar, BE kujton se Shqipëria duhet të fokusojë ndryshimet ligjore në përmbushjen e standardeve të anëtarësimit, përfshirë:

  • Dekriminalizimin e shpifjes

  • Rishikimin e kuadrit ligjor për trafikun e drogës, trafiqet e qenieve njerëzore, abuzimin me fëmijët, pastrimin e parave dhe armët e zjarrit

BE nënvizon nevojën për konsultim gjithëpërfshirës me institucionet e drejtësisë, aktorët e shtetit ligjor dhe shoqërinë civile, për të garantuar që çdo ndryshim ligjor të jetë në përputhje me vlerat demokratike dhe liritë themelore.

“Rishikimi i Kodit Penal është një proces kompleks, me ndikim afatgjatë. Duhet trajtuar me kujdes dhe transparencë për të mos rrezikuar të drejtat e qytetarëve”, – thuhet në fund të deklaratës së diplomatëve europianë.

Ky është sinjali i dytë brenda pak orëve nga BE, që paralajmëron qartë: ndryshimet në Kodin Penal nuk duhet të cenojnë të drejtën për të folur lirshëm. Shqipëria nuk mund të ecë drejt Europës duke heshtur qytetarët e saj.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit