Bumi i turizmit në Shqipëri ka një tjetër anë të medaljes: një kosto të rritur jetese që po rëndon gjithnjë e më shumë mbi shpatullat e qytetarëve. Nga një kafe në bar te një apartament për qira, shqiptarët po përballen me çmime që dikur ishin rezervuar për turistët e huaj – por që sot janë kthyer në normë edhe për ta.
Në një skenë tipike në Pogradec, një qytetar i irrituar largohet nga një bar buzë liqenit, duke ankuar:
“Ujin e çezmës po e paguajmë si të ishte luks në lokal. Për një kafe, ujë dhe një Coca-Cola paguam 650 lekë”.
Sipas tij, një gotë ujë “nga çezma” kushton më shumë se pijet freskuese. Një simptomë e shtrenjtimit të çmimeve, veçanërisht në zonat ku fluksi i turistëve është në rritje të fortë.
Sipas INSTAT, në periudhën janar-maj 2025, Shqipëria priti 3,4 milionë turistë të huaj, një rritje prej 3.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në maj, arritën thuajse 1 milion turistë në një muaj, me flukset më të mëdha në janar dhe shkurt.
Por ndërsa turistët shijojnë bregdetin dhe natyrën shqiptare, vendasit po shohin si çmimet rriten për çdo shërbim – nga ushqimi dhe pijet, te strehimi dhe mallrat e përditshëm.
Rritja e menjëhershme e apartamenteve me qira ditore po shteron ofertën për banorët që kërkojnë strehim afatgjatë.
Vetëm në muajin prill 2025, sipas AirDNA, ishin 23,400 njësi të listuara për qira ditore, një rritje me 38% nga një vit më parë. Kjo ka bërë që çmimet mujore të qirave në Tiranë të arrijnë nivele marramendëse:
1+1 në qendër: 300–800 euro/muaj
2+1 në zonat e preferuara: deri në 1,300 euro/muaj
Zona si ish-Blloku apo afër “Air Albania”: rritje mesatare nga 7% deri në 23%
Agjentët imobiliarë thonë se gjetja e një apartamenti për qira afatgjatë mund të zgjasë deri në 9 muaj. Pronarët përfitojnë më shumë nga qiratë ditore dhe e kanë braktisur tregun afatgjatë.
Shtrenjtimi i jetesës nuk ndalet te strehimi. Produktet shqiptare në markete janë më të shtrenjta se ato të importit, për shkak të kostove të larta të prodhimit, mungesës së konkurrencës dhe zhvlerësimit të euros.
Sipas Alban Zusit nga Qendra e Eksporteve Shqiptare, prodhuesit vendas shpesh detyrohen të ruajnë çmime të larta ose të largohen nga tregu, pasi nuk konkurrojnë dot importin.
Shumë hotele dhe struktura turistike furnizohen më lirë nga jashtë, duke përjashtuar prodhuesit shqiptarë.
Kryetari i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahja, deklaron se konsumi nga qytetarët shqiptarë ka rënë me 20% në dy vitet e fundit, për shkak të çmimeve të kripura në bar-restorante.
“Shumë shqiptarë po zgjedhin të pushojnë jashtë vendit. Në vend të konsumit të shtuar, turistët po kompensojnë konsumin e munguar nga vendasit”, thotë Jahja.
Ndryshe nga tregjet e tjera, sektori i makinave me qira nuk ka pësuar rritje çmimesh.
Sipas RentX, çmimet kanë mbetur stabël për shkak të konkurrencës së lartë dhe hyrjes së operatorëve të rinj. Një makinë bazë mund të merret me 15 euro/ditë, ndërsa luksi shkon deri në 200 euro/ditë.
Sipas ekspertit Arben Malaj, turizmi po sjell edhe pasoja të tjera të rënda:
Trafik i rënduar dhe shkatërrim mjedisor, sidomos në bregdet
Presion mbi infrastrukturën publike: kanalizime, shëndetësi, transport
Rrezik për humbjen e identitetit kulturor, pasi fshatrat dhe qytetet transformohen për t’iu përshtatur turistëve, jo banorëve
Arben Malaj propozon një paketë me politika urgjente:
Subvencione për familjet me të ardhura të ulëta
Kufizim të konvertimit të banesave në njësi turistike
Kontroll sezonal i çmimeve në produkte/shërbime të caktuara
Investime në transport publik për të ulur varësinë nga makinat
Planifikim urban të zgjuar për të ruajtur balancën mes zhvillimit dhe jetesës së banorëve
Nga një vend ku uji i çezmës duhej të ishte falas, Shqipëria po kthehet në një vend ku edhe ajri duket me çmim për vendasit. Bumi turistik sjell para, por me çmimin e një kostoje jetese që shumë shqiptarë nuk mund ta përballojnë.