Një tjetër skandal ndërtimi ka shpërthyer në brigjet e Jalës, ku projekti turistik “Folie Village”, i promovuar si investim strategjik, rezulton të jetë ndërtuar pa leje ndërtimi. Ndërkohë që autoritetet kanë ndëshkuar vetëm një hallkë të ulët të zinxhirit, drejtësia nuk ka prekur ende drejtuesit e kompanisë përgjegjëse.
Gjykata e Apelit në Tiranë ka lënë në fuqi masën e arrestit në shtëpi për Ludjon X., një inxhinier 40-vjeçar i kompanisë “Soleil & Sea”, i cili u kap më 3 qershor nga Policia e Vlorës, teksa mbikëqyrte punimet pa leje në kompleksin luksoz të vilave “Folie Village”, pranë lokalit të njohur “Folie Marine”.
Arresti u konfirmua nga Gjykata e Vlorës më 6 qershor dhe, pas një ankimi të tërhequr nga avokati i tij, vendimi mbeti në fuqi edhe nga Apeli.
Por teksa drejtësia vepron ndaj një inxhinieri, hetimet flasin për një përgjegjësi që shkon më lart. Burime nga grupi hetimor dhe deklarimet e vetë të ndaluarit sugjerojnë se roli kryesor në këtë aferë i përket drejtuesve të kompanisë, e cila ka përfituar statusin e “investitorit strategjik” në qershor 2023, me bekimin e Komitetit të Investimeve Strategjike, të kryesuar nga kryeministri Edi Rama.
“Soleil & Sea”, kompania që mban projektin, është në pronësi të Endri Mingollarit (90%) dhe Ardit Bajraktarit (10%). Megjithatë, burime të ndryshme mediatike kanë përmendur emrin e biznesmenit të njohur Alban Xhillari si personin real pas këtij investimi, me një pronësi de facto.
Projekti “Jala Entertainment Park”, me vlerë të deklaruar 72 milionë euro, synonte ndërtimin e një resorti me vila luksoze në formën e një fshati turistik – “Folie Village”. Por gjatë kontrollit të policisë dhe inspektorëve të Bashkisë së Vlorës në kantierin e ndërtimit, u zbulua se kompania kishte nisur punimet pa lejen përkatëse nga Bashkia e Himarës.