Pak ditë më parë në fshatin Frashër të Fierit u regjistrua një ngjarje tragjike ku nënë e bijë dhe i dashuri i vajzës vranë kryefamiljarin. Pas hetimeve të para, është konfirmuar se viktima ka humbur jetën në kushte të dyshimta, ndërsa tre persona janë arrestuar për përfshirje në ngjarjen tragjike. Vrasja dyshohet të ketë ndodhur për shkak të marrëdhënieve familjare dhe është kryer në bashkëpunim.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, Anesti Rama u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në fshatin Frashër, pas një telefonate urgjente për ndihmë mjekësore më 23 korrik 2025. Ndihma e shpejtë, kur mbërriti në vendin e ngjarjes, konstatoi se Rama kishte vdekur. Trupi i tij ishte gjetur i shtrirë në sallonin e banesës, i veshur me një kostum dhe këmishë, në një gjendje që nuk përkohej me një aksident të zakonshëm.
Dëmtime të dukshme ishin regjistruar në pjesën ballore dhe mbi vetullat e viktimës. Dyshimet janë se gruaja dhe vajza e tij mund të kenë manipuluar vendin e ngjarjes pas vdekjes, duke lëvizur trupin nga tualeti dhe pastruar çdo gjurmë që mund të çonte në zbardhjen e të vërtetës. Është arrestuar vajza e të ndjerit, Emanilda Rama, bashkëshortja Valbona Rama dhe Çlirim Dogani.