Një shqetësim që po përhapet çdo ditë e më shumë mes qytetarëve është zakoni gjithnjë e më i përhapur i hedhjes së fishekzjarreve në orën 00:00, kryesisht për ditëlindje. Ajo që për disa është “festë e bukur”, për shumë të tjerë është burim stresi, frike dhe shqetësimi.
Një nënë e re nga Tirana ka ndarë për JOQ Albania një dëshmi shqetësuese:
“Çdo natë, në orën 00:00, më duhet të mbyll dritaret sepse do kemi ‘spektakël fishekzjarresh’. Çdo natë bebja ime trembet dhe shpërthen në të qara. A ka ndonjë ligj që i ndalon këto spektakle qiellore në mes të natës? Pse duhet të vuajnë të tjerët për të festuar dikush një ditëlindje?!”
Ky nuk është një rast i izoluar. Komentet dhe reagimet e shumta në rrjet tregojnë se një pjesë e madhe e qytetarëve janë të lodhur nga kjo praktikë e pajustifikuar, që shpesh shoqërohet me zhurmë të madhe dhe ndjesi pasigurie.
Në mungesë të kontrollit apo ndërhyrjes së institucioneve përkatëse, kjo “modë” e viteve të fundit po kthehet në normë, duke cenuar qetësinë dhe mirëqenien e fëmijëve, të moshuarve dhe gjithë banorëve të zonave urbane.
Ndoshta është koha të ngrihemi të gjithë njëzëri dhe t’i kërkojmë bashkive respektimin e rendit dhe qetësisë publike. Ka mënyra shumë më të bukura dhe më të civilizuara për të festuar një ditëlindje, pa cënuar jetën e të tjerëve.