Një qytetar i cili ushtron aktivitetin si shitës në zonën e Stacionit të Trenit në Tiranë ka dërguar në redaksinë e JOQ Albania një video ku shihen disa të mitur duke grabitur kiosken e tij pas mesnatës, rreth orës 2.
Në pamjet e siguruara, dallohet qartë momenti kur njëri prej të miturve futet brenda në kioskë, ndërsa dy të tjerë qëndrojnë jashtë duke ruajtur zonën. Pas pak minutash, edhe një tjetër futet brenda, ndërsa dy të miturit e qëndrojnë jashtë.
Sipas tij, nga kioska janë marrë produkte të ndryshme, por edhe para që ndodheshin në arkë.
Pronari i kioskës thotë se dëmi i shkaktuar nga vjedhja kap vlerën e 150 deri në 200 mijë lekëve të rinj.
“Hyjnë, vjedhin gjithçka dhe largohen të qetë. Dëmi total që më kanë shkaktuar është 1.5 deri në 2 milion lekë të vjetra. Policinë e kam njoftuar, por dua që kjo video të shërbejë si alarm edhe për të tjerët”, – shprehet ai për JOQ Albania.
Kjo ngjarje është një tjetër shembull shqetësues i rritjes së rasteve të vjedhjeve të kryera nga të mitur në zonat urbane, çka tregon për mungesën e kujdesit prindëror, mbikëqyrjes institucionale dhe një sistemi efektiv ndëshkimi.
Rritja e tillë e devijimeve në moshë kaq të vogël duhet të shqetësojë jo vetëm familjet, por edhe shoqërinë dhe institucionet përgjegjëse. Është momenti për reflektim dhe veprim konkret, përpara se këto raste të shndërrohen në normë dhe jo në përjashtim.