“Lanë vetëm shapkat”, turistja ukrainase denoncon vjedhjen: U futa 5 minuta në det dhe më morën gjithçka!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 01.08.2025, 22:15

Një turiste nga Ukraina ka ndarë me redaksinë e JOQ Albania një përvojë të pakëndshme që përjetoi gjatë pushimeve të saj në Durrës.

Ngjarja ka ndodhur të mërkurën në orët e pasdites, në zonën e njohur si Rrota e Kuqe, ku ajo kishte shkuar për t’u freskuar në det.

Sipas saj, gjithçka ndodhi brenda 5 minutash, ndërsa ajo ishte futur në det për t'u larë. Kur u kthye në breg, zbuloi se i kishin vjedhur çantën, telefonin, kufjet, rrobat dhe madje edhe peshqirin, duke i lënë vetëm shapkat. Policia u njoftua nga pushuesit e tjerë, por mbërriti me vonesë, ndërsa nuk kishte asnjë kamerë sigurie në zonë.

Mesazhi i saj i plotë:

“Përshëndetje JOQ! Dua të ndaj një situatë që më ndodhi në plazhin e Durrësit të mërkurën pasdite. Rreth orës 17:10 dola në plazh në zonën e Rrota e Kuqe. Vendosa peshqirin, çantën sipër tij dhe fsheha poshtë kufjet dhe iPhone 14 Pro. Hyra në det për vetëm pesë minuta për t’u larë. Kur u ktheva, të gjitha sendet e mia ishin zhdukur. Mbeta pa rroba, pa çantë, pa pajisje dhe madje pa peshqir, e vetmja gjë që më kishin lënë ishin shapkat. Falë Zotit që nuk kisha marrë çelësin e apartamentit me vete.

Njerëzit në plazh thirrën policinë, por u desh shumë kohë që të vinin. Nuk ka kamera sigurie në plazh, ndaj informacioni i vetëm që kam është nga një grua që ishte ulur aty pranë. Ajo më tha se një i ri erdhi me vrap, kapi të gjitha sendet e mia dhe u largua me shpejtësi.

Më vonë e njëjta gjë i ndodhi edhe një burri tjetër, që ishte ulur në tavolina afër, i cili u grabit gjithashtu. I kishin vjedhur telefonin kur ishte larguar vetëm për një minutë.

Shpresoj që mesazhi im të arrijë tek të tjerët dhe i bëj thirrje të gjithë turistëve që të jenë më të kujdesshëm!”

Ky nuk është rasti i parë që raportohet për vjedhje në plazhet shqiptare, veçanërisht në zonat ku mungon sigurimi dhe nuk ka kamera survejimi.

Fatkeqësisht, këto ngjarje jo vetëm që dëmtojnë imazhin e vendit, por cenojnë rëndë përvojën e vizitorëve që zgjedhin të pushojnë në Shqipëri.

JOQ Albani i bën thirrje autoriteteve të marrin masa më serioze për të garantuar sigurinë në zonat turistike dhe për të parandaluar ngjarje të tilla që lënë një shije të hidhur tek turistët e huaj.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit