Një situatë shqetësuese po ndodh prej disa vitesh në një lagje në afërsi të portit në qytetin e Sarandës, ku oxhaku i një picerie është kthyer në shqetësim për të gjithë banorët e zonës.
Sipas tyre, tymi i zi dhe bloza që del nga oxhaku i “Piceri Vesa” ka 5 vite që u vështirëson jetën dhe asnjë prej institucioneve nuk reagon pavarësisht ankesave të shumta.
“Ne si lagje kemi 5-vjet që na ka mbytur bloza e këtij oxhaku dhe na i nxirë të gjitha aluminet. Ku nuk jemi ankuar, po institucionet luajnë kungulleshkën me ne,” thotë qytetari në mesazhin e tij.
Ai shton se këtë problematikë e ka referuar në Bashki, Polici, dhe deri te Ministria e Mjedisit, por asnjë institucion nuk ka dhënë zgjidhje, pasi piceria sipas tyre është në pronësi të disa personave të lidhur me pushtetin
“Kam bërë disa here ankesë në bashki, dhe përgjigjia që kam marrë ka qenë se nuk e kemi ne në dore por institucioni i mjedisit. Kam shkuar në polici, dhe më kanë thënë bashkia e ka për detyrë. Kam komunikuar dhe shkruar me personin e institucionit të mjedisit para 2 vjetësh i cili më tha unë nuk të bëj dot gjë se ai që e ka është i partisë dhe ka shumë shoqëri. Kam shkruar direkt me ministren zonja Mirela Kumbara. E cila më tha se do i japim zgjidhje. Por pas disa muajsh dhe ajo e hoqi dhe më thotë: Këtë e zgjidh bashkia. Nuk është ministria të merret me oxhakët,” shton denoncuesi.
Të gjendur në këtë situatë pa asnjë përgjigje, banorët kërkojnë ndërhyrjen urgjente të autoriteteve për të ndalur ndotjen që po dëmton cilësinë e jetesës dhe mjedisin në zonë.
Pas publikimit të ankesës, vetë “Piceri Vesa” ka bërë një reagim për JOQ Albania, ku sqaron se sipas tyre tymi çlirohet vetëm 10 minuta kur furra ndizet, ose kur del ndonjë dru i njomë. Ata shtojnë se kanë marrë të gjitha masat për të vendosur filtra, pasi në të shkuarën kanë pasur dhe ankesa të tjerë nga qytetarë të ndryshëm.
Reagimi i plotë:
"Pershendetje JOQ! Ju shkruaj per te sqaruar ate ankesen qe eshte ber per tymin e furres se piceris. Ju kerkoj me mirsjellje nese mundeni ta hiqni ate postim ose te pakten te hidhni kete mesazhin tone, sepse jemi nje biznes familjar kemi 5 vite qe me mish e me shpirt po punojm per te ngritur kete biznes. Cdo sezon sidomos ne gusht na vine nga keto ankesa ne bashki edhe tani te joq. Ne kemi mar masa qe kur jan ankuar per her te pare duke vendos filtrues me dopozit uji. E cila nuk lejon qe bloza te shperndajet ne ajer. Ai tym eshte vetem ne fillim qe ndizet fura 5 10 minita ose kur del ndonje dru i njome dhe ben ate tym. Nuk kemi ca masash te tjera te marim vetem te na len te punojm se keto jan ankesa te kota duan te na prishin pune, ndoshta ndonje dhe nga bizneset konkuruese. Keshtu qe me mirsjellje na kuptoni!"