Në Shqipëri, liria e shprehjes dalëngadalë po shndërrohet në luks pasi nëse guxon të bësh humor, satirë apo thjesht një kritikë publike ndaj qeverisë apo institucioneve “të shenjta” të Republikës, rrezikon burgun.
Një projektligj i ri për ndryshimin e të gjithë Kodit Penal, hedhur për konsultim nga Ministria e Drejtësisë, propozon dënime deri në 4 vjet burg për atë që e quan “përdhosje të Republikës dhe simboleve të saj”. Nëse dikush guxon të “tallë”, “përbuzë” apo “përçmojë” institucionet shtetërore, nga Presidenti e deri te Forcat e Armatosura apo figurat me status “Dëshmor i Atdheut”, konsiderohet se ka kryer një krim kundër rendit kushtetues.
Projektligji e përkufizon “përdhosjen” si: “dhunim të diçkaje të shenjtë, poshtërim, përçmim, tallje apo bërje të padobishme të institucioneve të përmendura”. Nëse këtë “shkelje” e kryen një subjekt juridik, pra një media, organizatë apo kompani përveç dënimit me gjobë, parashikohet edhe masa shtesë: ndalim deri në 5 vjet për të ushtruar aktivitetin.
Me fjalë të tjera: nëse një portal publikon një meme kritike ndaj ndonjë ministri apo një editorial që ngre dyshime mbi vendimmarrjen e qeverisë, mund të përballet jo vetëm me ndjekje penale, por edhe me mbyllje.
Ironikisht, në kodin aktual penal, i vetmi rast i “përdhosjes” ishte ai i flamurit apo stemës, dhe dënimi maksimal ishte 3 muaj burg ose gjobë. Me ligjin e ri, ndërsa flamuri mbetet me dënim më të ulët, institucionet dhe politikanët ngrihen në nivelin e “të shenjtëve” të paprekshëm nga fjalët, mendimet apo ironia. Madje, edhe përdorimi i fjalës “dëshmor” për qëllime satirike përfshihet në këtë nen, që e trajton si “shkelje të rendit kushtetues”.
Duhet thënë se në një vend ku krimi i organizuar është ende sfidë reale, rreziku më i madh, sipas këtij drafti, duket se është fjala e lirë. Një përdorues droge që rri në cep të rrugës nuk përbën kërcënim, por një qytetar që denoncon paaftësinë ose korrupsionin e një ministri, po.
Në vend që të afrojë Shqipërinë me standardet e Bashkimit Europian, ky draft duket sikur frymëzohet nga modele më të njohura në Lindjen e Largët jo ajo e BE-së, por më shumë ajo e Kinës apo Koresë së Veriut. Ndërsa në Francë, Gjermani apo Britani, revistat satirike e kanë zakon të “shpërfytyrojnë” liderët, në Shqipëri po mendohet të futet në burg kush e bën këtë me fjalë jo më me vepra.