Në çdo renditje europiane, Shqipëria zakonisht ndodhet në fund: për cilësinë e jetës, të ardhurat për frymë apo shërbimet publike. Por më në fund ka një "kryesim": shqiptarët janë të parët në Europë për përqindjen e makinave me motor mbi 2,000 kubikë.
Sipas të dhënave të Eurostat, 27.8% e automjeteve me naftë në Shqipëri janë me motorë mbi 2.0 litra – përqindja më e lartë në kontinent. Prapa nesh janë Letonia dhe Lituania, vende me klimë të ashpër dhe distanca të mëdha midis qyteteve.
Por ironia qëndron te fakti se pavarësisht makinave luksoze me të cilat lëvizin shqiptarët, infrastruktura rrugore është shpesh e amortizuar, karburanti është ndër më të shtrenjtët dhe të ardhurat për frymë janë ndër më të ulëtat. Megjithatë, rrugët janë të mbushura me Mercedes, BMW dhe SUV të fuqishëm, kryesisht të përdorur dhe të importuar nga Europa Perëndimore.
Kjo "dashuri" për motorë të mëdhenj lidhet me disa faktorë: makinat me motor të fuqishëm shiten më lirë jashtë shtetit për shkak të kostove të larta të taksave dhe siguracioneve, ndërsa në Shqipëri kanë qenë për vite më të përballueshme. Po aq i rëndësishëm është edhe faktori i "statusit": makina e fuqishme shihet si simbol i suksesit, pavarësisht vitit të prodhimit apo nivelit të ndotjes.
Ndërkohë, pjesa më e madhe e Europës po kalon drejt makinave më efikase dhe më pak ndotëse, me benzinë, hibride apo elektrike. Holanda, për shembull, ka vetëm 0.6% automjete mbi 2,000 cc dhe shumicën me energji alternative.
Për momentin, duket se shqiptarët vazhdojnë të “kompensojnë” të gjitha mungesat në jetën publike me zhurmën e motorëve të fuqishëm.