Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar një situatë që po përjetohet gjithnjë e më shpesh në disa kompani të mëdha në Shqipëri, ku punëtorëve u bëhet presion psikologjik me pretekstin e zëvendësimit nga punëtorë nga Bangladeshi, të cilët paguhen më pak.
“Punoj në një kompani të madhe në autostradën Tiranë-Durrës. Përveçse të keqpaguar, kohët e fundit kemi nisur të përballemi me presion psikologjik. Kur kërkon rritje page, përgjigja që merr është: ‘Nëse s'të pëlqen, marrim punëtorë nga Bangladeshi’”, – shkruan qytetari.
Ai tregon se pas 7 vitesh punë, i është rritur paga vetëm një herë me 50 mijë lekë të vjetra, ndërsa të njëjtin fenomen e sheh edhe tek të njohurit e tij që punojnë në kompani të tjera.
“Na paguajnë dorazi, nuk deklarojnë rrogën në bankë. Gjithçka është bërë për të na nënshtruar dhe për të mos guxuar të kërkojmë më shumë”, përfundon qytetari.
Ky është një realitet shqetësues për shumë të rinj dhe familjarë në Shqipëri, që detyrohen të durojnë shfrytëzimin nga frika se do të mbeten pa punë, ndërsa punëdhënësit përdorin si mjet shantazhi mundësinë e importimit të fuqisë punëtore nga vendet më të varfra.