Një situatë shqetësuese po ndodh prej kohësh me banorët e një pallati pranë rrugës “Shtraus” në qytetin e Lezhës.
Në një denoncim për redaksinë tonë, ata tregojnë se prej muajsh, ujërat e zeza kanë përmbytur bodrumin e godinës, duke e kthyer atë në një vatër infeksioni e rreziku për shëndetin e banorëve, sidomos tani që temperaturat e larta të verës e bëjnë situatën akoma më të padurueshme.
Por drama e këtyre qytetarëve nuk ndalet me kaq! Përveç erës së rëndë, atyre u është bllokuar edhe parkingu i pallatit, siç pretendojnë për interesa personale e private, duke i lënë pa mundësinë për të parkuar automjetet e tyre.
Denoncuesit shprehen se ndërtuesi i pallatit, i cili e ka dorëzuar objektin prej 20 vitesh, është rikthyer dhe ka pohuar hapur se ky bllokim i parkingut është bërë me “leje” të kryetarit të Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, me qëllimin për të shitur garazhet privatisht.
“Ndertuesi i pallatit qe ka 20 vjet qe ka dorezu pallatin ka ardh duke thene se eshte bere me leje te kryetarin bashkise Pjerin Ndreu duke blloku parkingun per interes per te shitur garazhet e nderkohe na ka blloku dhe ujerat e zeza nuk mund te rrim nga era e keqe. Flm nese e poston,” shkruan denoncuesi.
Kjo situatë nuk mund të kalojë në heshtje. Banorët kërkojnë që ujërat e zeza të largohen nga parkimi i pallatit dhe që parkimet t’u kthehen atyre që i zotërojnë.