Ndër 100 lajme që publikojmë, 98 kanë qenë kundër Rilindjes dhe vetëm 2 kundër opozitës. Por ja që njëri ndër këto dy “mëkatet”, ai për pallatet e kontakt, paska mjaftuar që familja Berisha të heqë dorë nga “pronësia” e JOQ.
Zoti Berisha na akuzon për shpifje, dhëndri për gjobëvënie… ndoshta ka marrë leksione nga Erion Veliaj.
Sali Berishën e kemi respektuar për dy arsye:
• Moshën e thyer që e bën imun ndaj çdo ofendimi. • Sepse në 2019, kur gjithë makina e propagandës së Rilindjes na u hodh në fyt, ai ishte i vetmi që na doli në krah. Ndryshe nga Lul “Pengu”, që u hutua duke numeruar milionat.
Kjo mbrojtje dhe fakti që kemi bërë opozitë të pandalshme, na ka kushtuar shtrenjtë! Prej 12 vitesh, shumë zëra nga e majta na kanë etiketuar: “Jeni ushtarët e Saliut.”
Po ja ku po e shihni sot “ushtarët” qenkërkan bërë “armiq” sepse demaskuan pallatet e gabuar.
Duke qenë se Luli ishte peng i Berishës, doktorin e kemi mbështetur gjatë Rithemelimit. Por sapo mori vulën dhe selinë, nisi jozyrtarisht bashkëqeverisjen me Rilindjen.
Ne dimë shumë për këtë pazar, por flasim pak, sepse nuk shohim asnjë parti që sjell shpresë, siç na solli Edi Rama para 1 prillit të 2013 dhe Rithemelimi i Saliut. Të dyja këto “shpresa” na dhanë të njëjtin rezultat: zhgënjim dhe shpopullim.
Rrugët tona me Berishën u ndanë më 12 maj. Sepse opozitarizmi nuk është tapí banese që ta mbash në sirtar, është shpresë dhe mburojë që ul dëmet e qeverisë ndaj taksapaguesve.
Por duket se për zotin Berisha kjo nuk ka më rëndësi, pasi në opozitë nuk ke kokëçarjet që ke në pushtet, dhe paratë bëhen më lehtë.
Ne besojmë se halli i tij nuk janë paratë… por pushteti që i jep bashkëqeverisja.
Prandaj, i nderuar Berisha: Hape krahun, hape partinë, hiq llumin… dhe do të jemi sërish aleatë, ashtu si gjatë Rithemelimit.