Vulave në pasaportë u vjen fundi, BE aplikon sistemin e ri në tetor

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 30.07.2025, 19:54

Duke nisur nga tetori 2025, Bashkimi Evropian do të vërë në funksion sistemin e ri të automatizuar EES (Entry/Exit System) për regjistrimin e të gjithë udhëtarëve nga vendet jashtë BE-së, qofshin mbajtës vizash afatshkurtra apo të përjashtuar nga viza, sa herë që kalojnë kufijtë e jashtëm të Unionit.

Ky sistem do të mbledhë të dhëna si: emri i personit, lloji i dokumentit të udhëtimit, të dhëna biometrike (gjurmët e gishtave dhe fotografia e fytyrës), si dhe data dhe vendndodhja e hyrjes dhe daljes. E gjithë kjo do të bëhet në përputhje të plotë me të drejtat themelore dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

EES do të zëvendësojë metodën aktuale të vulosjes manuale të pasaportave, që është e ngadaltë, e pasaktë dhe nuk lejon ndjekjen e saktë të kalimeve kufitare apo identifikimin e personave që qëndrojnë më gjatë se sa lejohet.

Sistemi do të regjistrojë gjithashtu rastet e refuzimit të hyrjes në BE, duke ndihmuar në parandalimin e migracionit të parregullt dhe në rritjen e sigurisë për qytetarët evropianë.

Sipas Komisionit Evropian, EES do ta lehtësojë udhëtimin për shtetasit e ndershëm nga vendet e treta, ndërkohë që do të mundësojë identifikimin më efikas të shkelësve të qëndrimit dhe rasteve të mashtrimit me dokumente apo identitet.

Për më tepër, sistemi i ri do të mbështesë kontrollet kufitare të automatizuara dhe sistemet vetëshërbyese, që janë më të shpejta dhe më të rehatshme për udhëtarët.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit