Pak ditë më parë Vlora dhe mbarë Shqipëria u tronditën nga ngjarja e rëndë e ndodhur në një lokal, ku efektivi i Policisë Ardian Isufi, në bashkëpunim me mikun e tij me precedentë penalë, Leart Bino, ushtruan dhunë brutale ndaj një kamarieri 18-vjeçar, për arsye se ky i fundit i dërgoi një shishe uji më shumë në tavolinë.
Por ky episod nuk është i vetmi që rëndon mbi figurën e Adrian Isufit. Së fundmi, një prej efektivëve më të vjetër të Policisë Rrugore në Vlorë, Rexhep Llaçaj, ka vendosur të flasë publikisht, duke ngritur akuza të tjera të rënda ndaj tij.
Llaçaj, me një karrierë 25-vjeçare në uniformë, e akuzon Isufin jo vetëm për dhunën ndaj të riut, por edhe për fshehjen e një aksidenti tragjik të ndodhur më 24 janar 2021, ku gruaja dhe fëmijët e tij u përplasën nga një automjet teksa kalonin vijat e bardha. Si pasojë, bashkëshortja e Llaçajt mbeti e paralizuar, ndërsa fëmijët e tij, jetojnë ende të traumatizuar nga ajo ditë.
Aksidenti, nuk u hetua kurrë. Përkundrazi, çdo provë u zhduk. Llaçaj tregon se kishte shkuar vetë për të kërkuar pamjet filmike të zonës, por iu tha se “policë të tjerë kishin ardhur më herët dhe i kishin fshirë”. Për më tepër, pas kërkesave të tij të përsëritura për të zbardhur aksidentin, polici ‘boksier’ Ardian Isufi, në atë kohë Shef i Qarkullimit Rrugor dhe njëherazi epror i tij, vendosi ta largonte nga sektori i qarkullimit, duke e transferuar te rendi.
Sot e kësaj dite nuk ka drejtësi për bashkëshorten e Rexhepit. Askush nuk ka paguar për aksidentin fatal që i shkaktoi asaj, duke e lënë të paralizuar për gjithë jetën. Ai akuzon sot Ardian Isufin për manipulimin e provave të ngjarjes.
Rexhep Llaçaj kërkon sot që prokuroria të reagojë për të zbardhur aksidentin e bashkëshortes së tij, por edhe ngjarje të tjera të cilat mund të jenë fshehur.